Nuk mund të heshtim për situatën në gjyqësor, qytetarët kërkojnë drejtësi dhe rezultate, thotë zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
“Ata po kërkojnë para për paga dhe buxhete më të larta, por nuk punojnë, nuk munden vetë të reformohen dhe nuk po japin rezultate”, theksoi Nikolloski i ftuar në “Vetëm intervistë” në TV Kanal 5, duke folur për situatën në gjyqësorin dhe prokurorinë e Maqedonisë së Veriut.
Duke komentuar vërejtjet për punën e autoriteteve gjyqësore, ai thotë se presionet nga faktori ndërkombëtar janë të dukshme, megjithëse gjyqësori nuk po tregon ndonjë rezultat.
Lidhur me kërkesën për paga më të larta në sistemin gjyqësor, Nikolloski theksoi se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë ende të larta dhe se problemi nuk janë të ardhurat, por se gjyqtarët dhe prokurorët nuk po japin rezultate.
“Ja teorikisht do t’i rrisim edhe pagat, a do të ndryshojnë gjërat? Do të jetë njësoj! A janë pagat e tyre të ulëta tani? Ata kanë paga më të larta se ministrat, kryeminisrti dhe presidenti i shtetit. A ju kujtohet që Gjykata Kushtetuese e rrëzoi vendimin për ngrirjen e pagave, kur pagat papritmas u rritën për 78 për qind, dhe ne morëm një qëndrim parimor se pagat e tyre nuk do të rriten më nga kjo dhe i ulëm koeficientët, por kjo nuk duhej të vlente për gjyqtarët dhe prokurorët. Problemi në këtë vend nuk janë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, problemi është se ata nuk i përmbushin detyrimet”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.
Ai theksoi se qëllimi i Qeverisë është që gjyqësori dhe Prokuroria të jenë të pavarura, por për sa kohë që besimi në sistemin gjyqësor është në një nivel kaq të ulët dhe për sa kohë që ky është një problem që çdo qytetar e thekson, Qeveria nuk do të heshtë për situatën.
Lidhur me kushtet e punës në gjykata dhe prokurori, Nikolloski bëri një krahasim se si gjyqtarët dhe prokurorët silleshin ndaj VMRO-DPMNE-së, dhe si sillen ose nuk sillen sot ndaj koalicionit të mëparshëm qeverisës.


