Aleanca Kombëtare për Integrim reagon ndaj vendimit të Qeverisë për të emëruar të ashtuquajturit “poverenikë” në krye të komunave – një akt i jashtëligjshëm, i paautorizuar dhe i papranueshëm, që synon të uzurpojë vullnetin e qytetarëve të Gostivarit dhe Vrapçishtit.
Reagim i plotë:
Aleanca Kombëtare për Integrim reagon ndaj vendimit të Qeverisë për të emëruar të ashtuquajturit “poverenikë” në krye të komunave – një akt i jashtëligjshëm, i paautorizuar dhe i papranueshëm, që synon të uzurpojë vullnetin e qytetarëve të Gostivarit dhe Vrapçishtit.
Qeveria po tenton të zëvendësojë udhëheqësit e zgjedhur nga populli me “poverenikët” e saj. Kjo përbën ndërhyrje të hapur në autonominë lokale dhe shkelje flagrante të rendit juridik. Theksojmë me përgjegjësi të plotë se baza ligjore e këtij vendimi nuk ekziston.
Ligji për Vetëqeverisje Lokale – si lex specialis me përparësi ndaj çdo akti tjetër – lejon emërimin e të besuarit të Qeverisë vetëm kur dështojnë dy raunde zgjedhore. Në Gostivar dhe Vrapçisht ka dështuar vetëm raundi i parë. Raundi i dytë ende nuk është mbajtur. Çdo justifikim tjetër është fabrikim politik dhe abuzim me ligjin.
Në Gostivar, shkelja është edhe më e rëndë: Valbon Limani është ushtrues detyre i zgjedhur nga Këshilli Komunal, dhe neni 54, paragrafi 5 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e përcakton qartë:
“Anëtari i këshillit i zgjedhur për ushtrues detyre të kryetarit të komunës e ushtron funksionin deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.”
Edhe ndryshimet e fundit në ligj e konfirmojnë të njëjtën dispozitë:
“Ushtruesi i detyrës vazhdon funksionin deri në zgjedhjen e kryetarit të ri nga populli.”
Prandaj, vendosja e “poverenikëve” nuk është vetëm e paligjshme – është tentativë për kapje të pushtetit lokal dhe shkelje e drejtpërdrejtë e vullnetit qytetar. Dhe vullneti qytetar është i qartë: Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim doli fitues me mbi 23 mijë vota në këto zgjedhje.
Në Gostivar, Valbon Limani fitoi rreth 17 mijë vota – plot 13 mijë më shumë se kandidati i koalicionit qeveritar. Në Vrapçisht, Isen Shabani mori 6.050 vota – mbi 5.500 më shumë se kandidati i pushtetit qendror.
Këto mandate ishin të pastra, demokratike dhe të padiskutueshme. Asnjë firmë politike nuk mund ta fshijë votën e popullit.
Aleanca Kombëtare për Integrim nuk do të lejojë uzurpim institucional. Ne do të kërkojmë mbrojtje të ligjit në çdo instancë dhe ua bëjmë të qartë të gjithëve: më 11 janar, drejtësinë do ta vendosë populli – me fitore edhe më të thellë.


