Në dekadën e fundit, Maqedonia e Veriut, si pjesa më e madhe e Evropës Juglindore, është përballur me sfida të konsiderueshme të migracionit. Vlerësimet tregojnë një rritje të vazhdueshme të numrit të emigrantëve, i cili sot vlerësohet të kalojë 30 përqind të popullsisë së përgjithshme, ose më shumë se 700.000 njerëz, raportoi “Deutsche Welle”.
Sipas të dhënave nga Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migracionit nga dhjetori 2022, diaspora e RMV-së vlerësohet në 693.896 persona. Nga këta, 38.4 përqind janë të vendosur në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani, Zvicër dhe Itali. Jashtë BE-së, komunitetet më të mëdha ekzistojnë në Australi, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, prezantoi sot draftin e tekstit të “Strategjisë Kombëtare për Bashkëpunim me Diasporën 2025–2030” – një plan pesëvjeçar që duhet të përmirësojë marrëdhëniet me diasporën, emigrantët dhe anëtarët e pakicës maqedonase jashtë vendit.
Mucunski theksoi se strategjia nuk është vetëm një dokument formal, por një tregues i qartë i vendosmërisë së shtetit për t’u qasur emigrantëve me një “angazhim sistematik, substancial dhe afatgjatë.
“Kjo nuk është një Strategji e shkruar pas dyerve të mbyllura, por në partneritet me institucione, ekspertë, organizata, profesionistë dhe, më e rëndësishmja, me diasporën”, tha Mucunski.
Mucunski shtoi se “shteti krijon një sistem, jo improvizim; një partneritet, jo një protokoll; një vizion afatgjatë, jo masa ad-hoc”.


