Kryeprokurori i Prokurorisë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi thotë se brenda 10 ditëve do të ketë aktakuzë edhe për pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, respektivisht për policët, në rastin e diskotekës “Puls” në Koçan, përcjell TV21. Abazi thotë se tashmë janë dëgjuar të gjithë të akuzuarit dhe dëshmitarët në lidhje me këtë rast.
“Nga ana e prokurorit publik në këtë lëndë janë dëgjuar të gjithë të akuzuarit. Janë siguruar të gjitha dëshmitë. Javën e kaluar u dëgjua edhe i akuzuari i fundit. U dëgjuan edhe dëshmitarët dhe u është dhënë njoftim për hetim të përfunduar dhe për dhjetë ditë presim…pasi që të hetohen edhe dëshmitë e reja që i siguruam dhe deklaratat e të akuzuarve dhe dëshmitarëve, presim për shkurt kohë, dhjetë ditë të merret vendimi i Prokurorisë Publike. Të gjitha dëshmitë materiale në lidhje me këtë rast penalo-juridik janë siguruar, nga viti 2012, deri në veprimin e fundit dhe ditën e ndodhisë së fatkeqësisë. Hetimi po zhvillohet në atë drejtim, të shohim lëshimet e secilit prej personave me autorizime policore, cilat janë lëshimet e secilit prej tyre, dhe gjithsesi në aktakuzë do t’i tregojmë të gjitha. Të gjitha lëshimet dhe veprimet e lëshuara nga ana e zyrtarëve të policisë”, tha Abazi.


