Për Matthias Rüth, nuk ka dyshim se kompania e tij duhet të vazhdojë të investojë në Kinë, pavarësisht paralajmërimeve në rritje të qeverisë për rreziqet e investimeve të tepruara në vend.
Si Drejtor Ekzekutiv i Tradium-it, kompani me seli në Frankfurt e specializuar në tregtimin e metaleve të rralla të tokës dhe lëndëve të para, Kina mbetet thelbësore për biznesin, duke pasur parasysh dominimin pothuajse total të vendit në sektorin gjithnjë e më të rëndësishëm të metaleve të rralla. “Meqenëse Kina mbulon, për shembull, më shumë se 95% të tregut të metaleve të rralla, ajo nuk mund të zëvendësohet në plan afatshkurtër,” i tha ai DW. “Këto janë marrëdhënie biznesi afatgjata dhe të besueshme, dhe materialet dhe proceset janë të provuara.”
Një vend i vetëkuptueshëm për biznes
Për Rüth-in dhe shumë kompani të tjera gjermane, Kina mbetet një vend i vetëkuptueshëm për të bërë biznes. Për një kohë të gjatë, qeveria gjermane e pranoi dhe inkurajoi plotësisht këtë qëndrim.
Megjithatë, ndryshimi në drejtim autoritar i Kinës nën Presidentin Xi Jinping, si pasojë e të cilit Kina mbështet Rusinë pas sulmit ndaj Ukrainës, ka ndryshuar marrëdhëniet BE-Kinë.
Peizazhi gjeopolitik ka ndryshuar dhe vitet e fundit, qeveria gjermane ka folur për “shkëputje nga rreziku” [shkëputje e varësisë nga një vend i vetëm për përbërës, mallra ose lëndë të para, shënim i redaktorit] i Kinës, kryesisht për shkak të rreziqeve për kompanitë e huaja, që përballen me masa të ashpra të autoriteteve kineze.
Kohët e fundit, kancelari gjerman Friedrich Merz tha për kompanitë gjermane që punojnë në Kinë: “Unë gjithmonë u them kur takohem me ta: ‘Është rreziku juaj po të shkojnë gjërat keq; ju lutemi mos ejani (pastaj) tek ne.'”
Më parë këtë javë, ministri gjerman i Financave Lars Klingbeil vizitoi Kinën për të diskutuar evolucionin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve. Duke folur në Pekin, ai deklaroi se Gjermania e sheh “konkurrencën e drejtë në rrezik dhe gjithashtu beson se vendet e punës në industri janë të kërcënuara”, por theksoi nevojën për dialog, duke thënë: “Ne duhet të flasim me Kinën në vend që të flasim për Kinën”.
Histori dashurie me automobilët
Kina përfaqëson qartësisht një marrëdhënie pa të cilën industria gjermane e ka të vështirë të bëjë – dhe me arsye. Më herët këtë javë, Kina ua kaloi Shteteve të Bashkuara për t’u bërë përsëri partneri kryesor tregtar i Gjermanisë. Tregtia midis dy vendeve arriti në 185.9 miliardë euro (215 miliardë dollarë) midis janarit dhe shtatorit të këtij viti.
Për dekada të tëra, gjigantët e mëdhenj industrialë gjermanë i kanë dhënë përparësi tregut të madh kinez, dhe vëllimet e investimeve mbeten të larta.


