Zëvendës Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, znj. Vilma Premti, mori pjesë në konferencën shkencore për ditën e Alfabetit, organizuar në Manastir, nga Ambasada e Republikës së Shqiperisë në Shkup, në bashkëpunim me Konsullatën e Nderit të Republikës së Shqipërisë në Manastir, Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe
Shpirtërore të Shkupit dhe Muzeun e Alfabetit të gjuhës Shqipe në Manastir.
Në takimin e mbajtur, ku përshëndeti dhe Zëvendës Ministri i Arsimit, z. Lulëzim Alliu, u bënë bashkë akadamikë të njohur nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut dhe personalitete të jetës publike.
Në fjalën e saj, Zëvendës Ministrja Premti deklaroi se “kjo ditë është një kujtesë e fuqishme që fjala shqipe mbetet një thesar i përjetshëm, përgjegjësi kombëtare dhe burim i pashtershëm krenarie.”
“Sot, nën moton ‘Përbashkimi nëpërmjet shkronjave – Një komb, një gjuhë, një abetare’, ne rikthehemi tek rrënjët e identitetit tonë të përbashkët për të kujtuar një të vërtetë të thjeshtë, por të përjetshme: se gjuha është shtëpia jonë, ura që na lidh, forca që na bashkon kudo ku jetojmë. Kongresi i Manastirit e bëri këtë lidhje të mundur duke na dhënë mjetin më të çmuar të unitetit – alfabetin e përbashkët”, deklaroi Premti.
Zëvendës Ministrja shtoi se “arsimi dhe gjuha shqipe janë prioritet i politikës sonë të jashtme”.
“Shqipëria, si shteti amë, ka përgjegjësinë të mbështesë shqiptarët në rajon dhe diasporë në ruajtjen e gjuhës, traditave dhe identitetit të tyre kombëtar. Një rol të veçantë dhe të pazëvendësueshëm në këtë proces kanë mësuesit e gjuhës shqipe në rajon dhe diasporë. Objektivat tona kryesore janë harmonizimi i legjislacionit në fushën e arsimit shqip në rajon; digjitalizimi i mësimdhënies duke e bërë shqipen të aksesueshme online; zgjerimi i përdorimit të Abetares së Përbashkët në RMV dhe Malin e Zi”.











