Me rastin e 22 nëntorit ditës së alfabetit shqip, Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbajti një seancë solemne, ku u fol për historikun e kësaj dite, si dhe për rëndësinë e gjuhës në identitetin e një kombi dhe funksionimin e një shteti demokratik. Në këtë drejtim, kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë fjalimit të tij tha se, Maqedonia është një shtëpi e diversitetit, i cili nuk ndan, por e pasuron historinë tonë të përbashkët kombëtare. Ai shtoi se, komuniteti shqiptar, me kulturën, gjuhën, traditat dhe vlerat e veta, është pjesë thelbësore e shtetit tonë.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Atdheu ynë i përbashkët bazohet në idenë se çdo qytetar ka vend të barabartë, vlerë të barabartë dhe mundësi të barabarta. Pikërisht për këtë, Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj politikave që ndërtojnë besim ndëretnik, krijojnë hapësirë për zhvillim dinjitoz të gjuhëve dhe kulturave dhe e forcojnë kohezionin mes të gjithë qytetarëve tanë. Kemi ambicje dhe dëshirojmë të ndërtojmë një shoqëri në të cilën të rinjtë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, boshnjakë, romë, vlleh dhe të gjithë të tjerët ta shohin të ardhmen e tyre këtu – në një Maqedoni të fortë dhe të zhvilluar. Një shoqëri në të cilën çdo gjuhë është urë, e jo kufi”.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Arben Fetai theksoi rëndësinë e barazisë gjuhësore dhe promovimit të diversitetit gjuhësor në Maqedoninë e Veriut, duke riafirmuar angazhimin e Qeverisë për respektin, kultivimin dhe promovimin e gjuhës shqipe dhe identitetit shqiptar në të gjitha dimensionet e tij.
Arben Fetai, Zëvendëskryeministër i RMV-së
“Në një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut, barazia gjuhësore është pjesë e një demokracie funksionale dhe e standardeve evropiane të të drejtave të njeriut. Shtetet moderne matin cilësinë e demokracisë së tyre jo vetëm me funksionalitetin e institucioneve por edhe me mënyrën se si trajton gjuhën e komuniteteve që bashkëjetojnë brenda tyre në këtë kuptim, barazia gjuhësore nuk është çështje simbolike, ajo është një parim demokratik dhe një praktik që e afron vendin tonë me të ardhmen që synojmë”.
Kongresi i Manastirit ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Kjo datë shënohet në të gjitha trevat shqiptare, ndërsa tradicionalisht manifestimet qendrore mbahen në Manastir, i njohur për botën shqiptare edhe si qyteti i Alfabetit.
Teuta Buçi /SHENJA/


