Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, në seancën e pyetjeve të deputetëve, i parashtroi disa dilema serioze Ministrit të Drejtësisë në lidhje me procesin e zgjedhjeve të përsëritura në disa komuna.
Snopçe theksoi se sipas nenit 132-a të Ligjit për Zgjedhjet, zgjedhjet e përsëritura duhet të mbahen brenda 60 ditëve nga publikimi i rezultateve përfundimtare.
“Rezultatet janë publikuar më 29 tetor, që do të thotë se afati përfundimtar është 29 dhjetori. A nënkupton kjo se afati ligjor tashmë është shkelur?”, pyeti Snopçe.
Ai ngriti edhe dilemën nëse në votim duhet të shkohet me të njëjtët kandidatë të raundit paraprak. “Nëse vendosen kandidatë të rinj, atëherë nuk kemi më të bëjmë me zgjedhje të përsëritura por me zgjedhje të reja. E nëse janë të reja, pse nuk aplikohet censusi?”, theksoi ai.
Deputeti Snopçe po ashtu kërkoi sqarim se a është e detyrueshme pritja e plotë e afatit prej 60 ditësh apo zgjedhjet mund të mbahen edhe më herët, brenda 30–40 ditëve.
Në fund, Snopçe përmendi deklaratën e Kryeministrit se ai ka 15 ditë afat për ta njoftuar Kryetarin e Parlamentit. “Nëse ai e shfrytëzon këtë afat deri në fund, mbesin vetëm 45 ditë, që janë të pamjaftueshme për KSHZH-në, e cila kërkon minimalisht 54 ditë për organizim. A pajtoheni se në këtë situatë është e domosdoshme të shkohet me të njëjtit kandidatë?”, pyeti Snopçe.
Ai shtoi se Ministri refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve dhe paralajmëroi përgjigje me shkrim.
“Sjellja e tij tregon se dilemat tona janë të drejta dhe se ligji nuk po respektohet. Ministri i Drejtësisë duhet të ketë guxim të përgjigjet publikisht, jo të kërkojë kohë për konsultime politike”, deklaroi Snopçe.
Snopçe përfundoi duke theksuar se, edhe pse është i bindur se e drejta është në anën e tyre, ASH nuk do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, për të mos e zvarritur procesin.


