Brenda një dekade në Maqedoninë e Veriut është shënuar një përmirësim i ndjeshëm publik sa i përket vdekjes foshnjore, e cila nga 10.2 ka rënë në vetëm 1.2. Kjo ulje historike konsiderohet një nga treguesit më të fortë të avancimit të kujdesit shëndetësor, aksesit më të mirë në trajtim dhe përmirësimit të kushteve socio-ekonomike në vend.
Raporti i Institutit për Shëndet Publik tregoi se në vitin 2013 vdekja foshnjore ishte 10.2 vdekje për 1000 lindje të gjalla, ndërsa sipas të dhënave të ESHS-së, në vitin 2024 shkalla e vdekjeve foshnjore për 1000 lindje të gjalla ka rënë në 1.2. “Në periudhën e dhënë, kemi vërejtur një trend pozitiv në uljen e vdekshmërisë foshnjore. Lindja e parakohshme është një sfidë serioze globale dhe kombëtare shëndetësore, me një ndikim të rëndësishëm në mbijetesën dhe shëndetin e të porsalindurve. Pavarësisht faktit se Maqedonia, si shumë vende në botë, përballet me faktorë të ndryshëm që rrisin rrezikun e lindjeve të parakohshme, në dekadën e fundit është vërejtur një trend i qartë pozitiv në uljen e vdekshmërisë foshnjore”, thuhet në deklaratën e ISHP-së.
Ulja e vdekshmërisë i atribuohet përmirësimit të kujdesit shëndetësor, aksesit në shërbime mjekësore dhe mbështetjes neonatale. “Ky progres duhet të forcohet më tej përmes investimeve të vazhdueshme në kujdesin perinatal dhe neonatal, zbulimin e hershëm të rreziqeve, përmirësimin e kapaciteteve spitalore dhe ofrimin e mbështetjes për familjet”, thanë nga ISHP.
Globalisht, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), një në dhjetë foshnje lind para kohe. Sipas OBSH-së, rreth 13.4 milionë foshnje kanë lindur para kohe në vitin 2020 (para 37 javëve të plota të shtatzënisë). Komplikimet e lindjes së parakohshme janë shkaku kryesor i vdekjes tek fëmijët nën 5 vjeç, përgjegjëse për afërsisht 900.000 vdekje në vitin 2019.
Rënia drastike e vdekshmërisë foshnjore nga 10.2 në 1.2 brenda një dekade konfirmon progresin e vazhdueshëm të sistemit shëndetësor në Maqedoninë e Veriut. Autoritetet shëndetësore theksojnë se ky trend pozitiv duhet të shërbejë si motivim për investime edhe më të mëdha në kujdesin parësor, me synim që çdo fëmijë të ketë një fillim të sigurt në jetë. /Koha/


