Tre vjet dënim efektiv me burg dhe pesë vjet ndalesë për kryerje të profesionit, veprimtarisë ose detyrës, gjykata në Strugë i shqiptoi gjinekologut Muhamed Asani, i akuzuar i parë në rastin me lehonën nga Dibra, Jilldiz Veaposka të cilës pas lindjes me operacion cezarian në Spitalin në Strugë i ishin hequr mitra, vezorja dhe veshka.
Nga akuza u liruan i akuzuari i dytë, djali i tij Blerton Asani, i cili atëherë ishte në specializim për gjinekologji dhe e akuzuara e tretë mjekja Liljana Jovanovska.
“Gjykata e shpall fajtor të akuzuarin Muhamed Asani dhe e dënon me dënim efektiv me burg prej tre vjet, që është maksimumi i paraparë për këtë vepër penale, ndërsa pas vuajtjes së dënimit me burg, i shqipton dënim plotësues ndalim për kryerjen e profesionit, veprimtarisë ose detyrës në kohëzgjatje prej pesë vjet”, tha gjykatësi Jordan Jovanov gjatë shpalljes së vendimit.
Procesi gjyqësor zgjati katër vjet e gjysmë, ndërsa e dëmtuara Veaposka shfaqi kënaqësi nga gjoba e shqiptuar, me vërejtje se faj në këtë rast ka edhe i akuzuari i dytë, i cili si specializant ka marrë pjesë gjatë operacionit cezarian.


