Dega e BDI-së në Butel ka reaguar pas vendimit të drejtoreshës së shkollës fillore “Zhivko Brajkovski” për të ndërprerë aktivitetin e nxënësve kushtuar 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, vetëm pak orë para mbajtjes së tij. Sipas reagimit, fëmijët kishin më shumë se një muaj që ushtronin dhe përgatiteshin për programin festiv, por aktiviteti u anulua me arsyetimin se disa nxënës do të performonin me veshje tradicionale shqiptare, shkruan gazeta KOHA.
Në reagimin e Degës së BDI-së, ky vendim cilësohet “skandaloz, diskriminues dhe tërësisht i papranueshëm”, duke theksuar se ndërhyrje të tilla përbëjnë cenim të rëndë të identitetit kombëtar dhe një precedent të rrezikshëm për bashkëjetesën ndëretnike në komunë.
“Arsyetimi i drejtoreshës është i pakuptimtë dhe diskriminues. Ky akt përbën një qasje të papranueshme ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve në komunën tonë”, thuhet mes tjerash në reagim. Dega e BDI-së kërkon masa urgjente, të menjëhershme dhe të paanshme ndaj drejtoreshës, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për ta relativizuar apo mbuluar rastin do të përballet me reagim të ashpër.
Në deklaratë thuhet se nëse institucionet nuk veprojnë, Dega e BDI-së në Butel do të mbështesë pa rezervë prindërit “në të gjitha mjetet demokratike në dispozicion”, përfshirë informimin e plotë të opinionit publik dhe mediave, derisa çështja të marrë zgjidhjen e merituar.
“Nuk do të tolerojmë diskriminim ndaj nxënësve shqiptarë”, përfundon reagimi. Ky incident hap edhe njëherë debatin për respektimin e diversitetit kulturor dhe trajtimin e barabartë të komuniteteve në institucionet arsimore të Shkupit. (koha.mk)


