Dayot Upamecano është një nga lojtarët që verën e ardhshme mund të jetë transferim i lirë për klubet të mëdha të Europës që e kërkojnë me ngulm. Kontrata e mbrojtësit francez me Bayern Munich skadon në verën e ardhshme.
Ka pasur shumë diskutime në muajt e fundit për shumë klube të interesuara për qendërmbrojtësin francez, por në javët e fundit, si komentet e lojtarit ashtu edhe ato të bordit të Bayern Munich kanë treguar besim në rritje në rinovimin e kontratës së tij.
Ky është konteksti në të cilin duhen interpretuar fjalët e Herbert Hainer, presidentit të klubit bavarez: “Jam optimist se mund të arrihet një marrëveshje për rinovimin e kontratës së Upamecano”.
“E kam dëgjuar të thotë se është jashtëzakonisht i lumtur në Bayern, se ndihet rehat si me ekipin ashtu edhe me trajnerin. Ndaj, nuk shoh asnjë arsye për t’u larguar. Jam optimist”, tha Hainer për mediat gjermane.


