Universiteti i Tetovës, përmes Fakultetit Filozofik, shënoi sot Ditën Botërore të Filozofisë me një aktivitet solemn, ku personalitete të njohura të mendimit akademik dhe filozofik theksuan rëndësinë e kësaj disipline në zhvillimin e shoqërisë dhe në mbrojtjen e lirisë së njeriut.
Të pranishëm në ngjarje ishin studiues, profesorë, studentë dhe të ftuar nga fusha të ndryshme humaniste. Në fjalën e tij përshëndetëse, Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, theksoi se filozofia ka qenë historikisht një kritikë e fortë ndaj çdo forme dhune dhe kufizimi të lirisë.
KUSHTRIM AHMETI, DEKANI I FAKULTETIT FILOZOFIK
“Filozofia ka luajtur rolin e zërit që sfidon padrejtësinë dhe mbron lirinë njerëzore…..”
Në këtë tryezë ka folur edhe akademiku i njohur Ferid Muhiq.
FERID MUHIQ, AKADEMIK
“Filozofia është një ndër shtyllat më të lashta të dijes njerëzore dhe mbetet themeli i reflektimit racional. Filozofia është një mënyrë për të kuptuar botën dhe veten, një disiplinë që ka shoqëruar njerëzimin prej mijëra vitesh”
Ndërsa Metin Izeti foli për rëndësinë e ruajtjes së dimensionit filozofik të njeriut përballë rreziqeve të reduktimit teknokratik të qenies humane.
Prof. DR. METIN IZETI, PROFESOR
“Kur njeriu ndahet nga filozofia, ai rrezikon të humbasë identitetin e tij dhe të shndërrohet në një mjet. Filozofia e mbron dinjitetin dhe e rikthen njeriun te vetvetja”
Ngjarja u mbyll me diskutime të hapura ku studentët patën mundësi të parashtrojnë pyetje dhe të marrin pjesë në reflektime të përbashkëta mbi rolin e filozofisë në kohët moderne. Përmes këtyre ngjarjeve Universiteti i Tetovës e riafirmon misionin e tij për të promovuar mendimin kritik, dijen dhe vlerat universale të humanizmit. /SHENJA/


