Vazhdon të rritet lista e të akuzuarve për zjarrin në diskotekën Puls, tragjedi e cilësuar si më e madhja në histori të vendit që nga pavarësimi. Kryeprokurori, Ljupço Kocevski ka njoftuar se janë arrestuar dhjetëra punonjës të punësuar në Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe se aktualisht po kryhen bastisje në disa lokacione.
Kocevski shpjegoi se procedura parahetimore, është e lidhur me rastin e Koçanit, por do të zhvillohet veçmas, në prokurorinë e Koçanit. Sipas të dhënave fillestare të Prokurorisë, personat ngarkohen për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, si dhe për dhënie dhe marrje ryshfeti.
LJUPÇO KOCEVSKI – KRYEPROKUROR
“Nëse del diçka e re lidhur me ndonjë vepër penale, lënda eventualisht mund të transferohet në Prokurorinë Themelore për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Kjo lëndë nuk mund të bashkohet me lëndën aktuale për Koçanin, sepse këtu nuk ka lidhje me pasojën e dëmshme, pra me vdekjen. Këto janë vepra penale për keqpërdorim, dhënie dhe marrje ryshfeti, të cilat nuk kanë lidhje me ngjarjen penale, pra me lëndën për Koçanin që aktualisht është në procedurë”.
Kocevski për shkak të procedurës hetimore, nuk zbuloi se në cilat pozita në Drejtorisë së të Ardhurave Publike ndodhen personat e përfshirë në procedurë, pasi ende po merren të dhënat e tyre personale. Kocevski shton se, Prokuroria do të propozojë masa të caktuara për të ndaluarit.
LJUPÇO KOCEVSKI, KRYEPROKUROR
“Për veprën penale keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, afati (i ndjekjes) është për pesë vitet e fundit ose tre vitet e fundit, ndërsa për veprat e tjera penale që lidhen me ryshfetin, afati është më i gjatë. Nëse ka parashkrim për këto vepra penale, atëherë prokurori nuk do të ndërmarrë asnjë veprim”.
Dje ka nisur edhe zyrtarisht gjykimi i të akuzuarve për rastin e zjarrit në diskotekën Puls. Për këtë rast, akuzohen zyrtarë të lartë shtetërorë, ish ministra, ish drejtor dhe punonjës të institucioneve të ndryshme.
Mevludin Imeri /SHENJA/


