Nikica Korubin
Vala e relativizimeve dhe e ekzibicioneve deklarative rreth sintagmës politike “bota serbe” – e përcaktuar si “projekt për vendosjen e një sfere ndikimi për të minuar sovranitetin e disa shteteve dhe stabilitetin në rajon”, siç është formuluar në raportin e Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2023-2024, i miratuar këtë pranverë – me qëllim që ajo të zbutet dhe normalizohet, po zhvillohet paralelisht me “de-shqiptarizimin” simbolik të shqiptarëve në sistemin shtetëror, si paradigmë kryesore politike.
Një paradigmë e “nënshtrimit politik të shqiptarëve” si përpjekje për një dominim real shoqëror mbi qytetarët shqiptarë. Çka është një lëvizje logjike për një partokraci (kryesisht maqedonase, por jo ekskluzivisht), e cila është mësuar të “qeverisë mbi” qytetarët, në vend që të “qeverisë në emër të tyre”, prandaj llogarit se kontrolli mbi partitë politike shqiptare, automatikisht do të thotë kontroll edhe mbi vetë qytetarët shqiptarë.
Duke qenë se dëshira në thelb e huaj për dominim e establishmentit politik maqedonas, e adoptuar (dhe e importuar) si e tyre ndaj shqiptarëve dhe partive politike shqiptare, e ka në vetvete “logjikën e sundimtarit”, enigmë mbetet zbatimi vullnetar i kësaj logjike “përmes logjikës së shërbëtorit” nga ana e disa (thuajse të gjitha) partive politike shqiptare. Me dëshirën për t’u dukur “të pranueshme” dhe “të përshtatshme”, që e shfaqin si kusht për të qenë të pranueshme në lojën politike, ato në fakt e minojnë krejtësisht ndikimin juridik dhe politik të garantuar me Kushtetutë, ndikim i cili përkthehet në dobësim sistematik të tërë shoqërisë.
Sa i përket relativizimit maqedonas të projektit për “botën serbe” nga raporti i Parlamentit Evropian, relativizim me të cilin vetëm sa konfirmohet vlerësimi i raportit, në vend që ai të hidhet poshtë në mënyrë ultimative dhe unanime për ta parandaluar dhe për ta mbrojtur shtetin dhe shoqërinë, “de-shqiptarizimi” simbolik, në fakt, përbën një “pranim” të rolit kyç të shqiptarëve si pjesë jashtëzakonisht me ndikim e tërë kontekstit shoqëror në Maqedoni dhe si një “bllokadë” efektive përballë “establishmentit maqedonas të srbizuar”, në ekspozimin e tij ndaj projektit të “botës serbe” – e bashkë me të edhe të tërë shtetit.
Ky, ta quajmë, “nën-projekt” i de-shqiptarizimit, i intensifikuar vitet e fundit, ka pasur (dhe ka) narrativa të ndryshme, të cilat jo domosdoshmërisht janë gjithmonë “nacionaliste” ose në këtë rast “de-nacionaliste” – sepse vetëm nacionalizmi shqiptar paraqitet në këtë “skenar” si problem.
Këto narrativa mund të jenë mediatike dhe nxitëse (shqiptarët rrinë në shtëpi dhe marrin rrogë, shqiptarët nuk paguajnë fatura, shqiptarët nuk flasin maqedonisht), mund të jenë partiake e të instruktuara, ku shfrytëzohet dhe goditet subjekti politik më i fuqishëm me sloganin “BDI-ja të reformohet në opozitë”; por mund të jenë edhe kulturore dhe alienuese (trashëgimia kulturore, (de)islamizimi, “loja” me përdorimin e gjuhës shqipe).
Por, të gjitha pa përjashtim, në mënyrë efektive janë anti-maqedonase, sepse prodhojnë vazhdimisht një atmosferë konfliktuale të mosrespektimit të vetë Kushtetutës dhe të drejtave të qytetarëve, të cilat, në rrafsh individual e etnik, mbrohen vetëm nëse të gjitha janë të mbrojtura njësoj.
Dhe a duhet që ky “de-shqiptarizim” në praktikë, i shoqëruar me një ri-makedonizim të “ndikimit të humbur”, që demonstrohet si në nivel lokal ashtu edhe në atë kombëtar, ku “maqedonasit” po rivendosin në mënyrë dominuese kontrollin, të fshehur hipokritisht pas paravanit të “sistemit të meritës” – domethënë “sipas meritës” e jo sipas “përkatësisë etnike” – ta uzurpojë dhe/ose ta ndalë procesin e integrimit evropian?
Dhe a bëhet në këtë mënyrë “Maqedonia e Veriut më së shumti maqedonase”, në fakt, “më së paku maqedonase”? Gjithçka është “maqedonase”, por ku dhe si? Vetëm “për përdorim të brendshëm”, sipas shembullit të “RSM-së në SFRJ”, e cila asnjëherë nuk ka qenë “maqedonase e pavarur”, jashtë federatës?
Në një kushtetutë qytetare me përkatësi etnike qartazi të shprehur për popullin maqedonas dhe për pjesët e popujve të tjerë, nuk ka vend për “kopjimin” e situatave të huaja në kontekstin tonë shoqëror. Aq më pak ka hapësirë për një dominim të rremë etnik, në një “boshllëk” të rrezikshëm gjeostrategjik dhe rajonal, jashtë sistemit të vetëm politik, kulturor, civilizues e demokratik të sundimit të ligjit dhe të lirisë – siç është sistemi i Bashkimit Evropian.
Prandaj, pyetja nuk është se “çfarë duhet të na japë neve Bashkimi Evropian”, por “çfarë duhet t’i japim ne” si vlerë Bashkimit Evropian? Ne si qytetarë të vetëdijshëm, përgjegjës dhe të qytetëruar (dhe pushtet po aq i tillë), do të jemi të tillë vetëm nëse jemi të lirë të jemi pikërisht ajo që na e garanton kushtetuta jonë – maqedonasit do të jenë “më të mëdhenj”, vetëm nëse shqiptarët nuk bëhen “më të vegjël”. Ashtu si edhe çdo popull tjetër, që është ose së shpejti do të jetë pjesë e kushtetutës sonë.


