Dy sindikatat në Maqedoninë e Veriut kanë qëndrime tërësisht të kundërta lidhur me rritjen e pagës minimale. Ato paraqesin argumente pro dhe kundër, ndërsa qeveria mban qëndrimin se paga minimale duhet të rritet vetëm një herë në vit, në mars, sipas ligjit dhe kritereve të përcaktuara si një e treta e rritjes së pagës mesatare, një e treta e indeksit të kostos së jetesës dhe një e treta e rritjes reale të prodhimit të brendshëm bruto për vitin paraprak, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave. Pas shumë vitesh, LSM nuk është sindikata e vetme përfaqësuese në këtë organ, pasi prej disa muajsh, pjesë e tryezës së negociatave është edhe Konfederata e Sindikatave të Lira (KSS), pas një procesi verifikimi të përfaqësimit nga qeveria.
Konfederata e Sindikatave thotë se është e kënaqur me dialogun social që ka sjellë rritje pagash dhe se procedura ligjore duhet respektuar jo vetëm për pagën minimale, por për të gjitha pagat dhe pensionet.
Nga ana tjetër, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë rikujton se paga minimale në vend, 397 euro, është më e ulëta në rajon. Sipas paralajmërimeve të qeverisë, kjo shumë nuk do të ndryshojë deri në mars të vitit 2026, përveç harmonizimit ligjor, që sindikatat vlerësojnë se nuk do të kalojë 1.600 denarë. LSM thekson se vendet në rajon tashmë kanë vendosur rritje të mëdha të pagës minimale dhe se nga janari pagat minimale do të jenë të paktën 500 euro. “Në Kosovë paga minimale do të rritet nga 350 në 500 euro në dy faza deri në korrik 2026. Në Shqipëri, nga 1 janari 2026, paga minimale do të jetë 500 euro dhe kjo rritje do të përfshijë mbi 307 mijë punonjës, ndërsa qeveria do të subvencionojë sigurimet me 90 milionë euro. Serbia do të ketë pagë minimale 500 euro nga tetori 2025 dhe 550 euro nga janari 2026. Në Republikën Srpska nga janari 2026 paga minimale do të variojë nga 512 deri në 743 euro, sipas kualifikimit. Në Bosnje e Hercegovinë paga minimale për vitin 2025 është 511 euro. Në Mal të Zi paga minimale është 600 euro për punëtorët me arsim të mesëm dhe 800 euro për punëtorët me arsim të lartë”, thekson Lidhja e Sindikatave.
LSM prezantoi edhe rezultatet e një ankete të zhvilluar javën e kaluar, sipas së cilës shumica dërrmuese e të anketuarve besojnë se paga minimale duhet të jetë 600 ose 700 euro dhe se nëse paga minimale nuk rritet në përputhje me kërkesat, duhet të ketë protesta ose greva. “Qëndrimi i punëtorëve është se 45.2 për qind e punëtorëve në Maqedoni besojnë se paga minimale duhet të rritet në të paktën 600 euro dhe mbi 700 euro. 45.2 për qind e të anketuarve ose diku rreth 85 për qind e punëtorëve në Maqedoni besojnë se paga minimale duhet të jetë midis 600 dhe 700 eurove”, thekson Sllobodan Trendafilov, President i LSM.
Nga ana tjetër, Konfederata e Sindikatave pranon se pagat duhet të rriten, por thekson se ligjet dhe marrëveshjet kolektive duhet të respektohen. “Nuk është e drejtë, të rritet paga minimale si më parë dhe të lihen të tjerat të qëndrojnë në vend. Puna është që të rriten të gjitha pagat e tjera në përputhje me ligjin e pagës minimale. Nëse paga minimale rritet me 100 euro, kjo do të thotë që edhe pagat e tjera duhet të rriten me 20 për qind, sepse përndryshe do të ketë një ngushtim të diferencës midis pagave, ose barazim”, thekson Bllagoja Ralpovski, kreu i Konfederatës së Sindikatave për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se në sektorin publik tashmë janë arritur marrëveshje që kanë mundësuar rritjen e të gjitha pagave, jo vetëm të pagës minimale, duke bërë që shumë pak punonjës të sektorit publik të mbeten me pagë minimale. Dhe ky, sipas tij, është drejtimi në të cilin duhet të lëvizë rritja e pagave në vend që të përqendrohet vetëm në pagën minimale. “Në pesë-gjashtë vite vetëm paga minimale u rrit në mënyrë populiste dhe të tjerat mbetën të njëjta, dhe kështu u krijua një kompresim i pagave. Tani kemi një rritje ose harmonizim të të gjitha pagave. Ne gjithmonë e kërkojmë këtë. Kur rritet paga minimale, ne kërkojmë që të gjitha pagat të harmonizohen. Në këtë moment, kemi marrëveshje me Qeverinë, me ministritë, me punëdhënësit në të gjithë sektorin publik deri në vitin 2028, dhe mendoj se jemi të kënaqur me atë pjesë të dialogut social”, thekson Ralpovski.
Sipas tij, nevojitet që edhe në sektorin privat të nënshkruhet një marrëveshje kolektive e përgjithshme .Për të shtuar se nëse marrëveshja kolektive e përgjithshme nënshkruhet në sektorin privat me palë legjitime, punëdhënës legjitimë dhe një sindikatë legjitime, atëherë ajo duhet të respektohet nga të gjitha kompanitë private në vend.
LSM kundërshton argumentet se rritja e pagës minimale do të çojë në humbje vendesh pune ose mbyllje kompanish. “Të dhënat nga viti 2022 deri më sot, të nxjerra nga regjistrat kompetentë, tregojnë se me rritjen e pagave minimale dhe të të gjitha pagave të tjera, hapen dy kompani të reja për çdo kompani të mbyllur thonë nga Lidhja e Sindikatave. Sipas LSM, në vitin 2022, kur e rritëm pagën minimale (si përkujtim, përmes protestave dhe grevave) nga 15.194 në 18.000 denarë, u krijuan 7.062 kompani të reja, dhe 5.694 u fshinë ose u mbyllën. Në vitin 2023, me rritjen e pagës minimale nga 18.000 në 20.175 denarë, numri i kompanive të reja mbeti 7.062, dhe ato të fshira u ul në 3.372. Në vitin 2024, me rritjen e pagës minimale nga 20.175 në 22.567 denarë, u krijuan 6.627 kompani të reja, dhe vetëm 2.891 u mbyllën”, thonë nga LSM.
Punëdhënësit në kushtet aktuale, nuk i konsiderojnë këto kërkesat si të justifikuara ekonomikisht, duke shtuar se paga minimale nuk llogaritet sipas dëshirave të dikujt, por parametrat ekonomikë duhet të jenë themelorë për të arritur pagën minimale, dhe jo thjesht në një mënyrë të përgjithshme. Ata thonë se ndoshta bizneset do të jenë në gjendje të përballojnë një pagë minimale prej 500 eurosh, por kjo do të çojë gjithashtu në nevojën për të rritur pagat e tjera, gjë që është e vështirë të bëhet për disa kompani. /Koha/


