Emad Mehmeti
Edhe pse BDI si koalicion me AKI-në dolën fitues në zgjedhjet lokale me një numër të konsiderueshëm votash, rezultati ishte larg pritjeve të tyre, pasi humbën shumicën e komunave. E kur një parti politike si BDI arrin në pikën ku duhet të shpallë “kongres reformash”, kjo zakonisht tregon se diçka nuk ka shkuar mirë. Pavarësisht akuzave të tyre ndaj pushtetit VLEN-VMRO për “inxhinering zgjedhor” humbja e shumicës së komunave shqiptare ishte një mesazh i qartë: diçka nuk shkon mes partisë dhe bazës politike.
Rezultatet e zgjedhjeve lokale e lanë BDI-në në një pozicion të palakmueshëm. Ato treguan se pushteti i gjatë, dhe mbështetja në emra të njëjtë e në struktura të konsumuara, nuk mund të prodhojë më entuziazëm apo besim. Përkundrazi, po u kthehet në problem serioz.
BDI shpalli mbajtjen e kongresit në dhjetor. Në vend që kjo të shihej si mundësi për reflektim, brenda partisë dhe koalicionit kanë nisur akuzat e ndërsjella: kush kë e tradhtoi, e kush nuk punoi. Por ndërsa fajtorët po kërkohen te aktivistët, bëhen se harrojnë që të parët që u larguan janë pikërisht drejtorët dhe ish-ministrat, njerëzit që për vite kanë përfituar nga pushteti i kësaj partie.
BDI mund të reformohet vetëm nëse ka guxim të shikojë gabimet brenda vetes, jo duke kërkuar fajtorë të paqenë. Nuk mjafton të ndryshohen paksa emrat në lista apo fytyrat në ekrane. Kërkohet ndryshim i mendësisë politike, transparencë dhe llogaridhënie.
Nëse kongresi do të prodhojë rotacion të brendshëm pa ide të reja, atëherë gjithçka do të jetë sa për sy e faqe. Sot shqiptarët nuk kërkojnë më vetëm “flamur e çifteli”, por vizion dhe platformë të qartë për të ardhmen e tyre si komb në RMV, diçka që mund të arrihet vetëm përmes ligjeve, e jo me marrëveshje të fshehura nën apo mbi tavolina.
Alarmi në BDI është ndezur. Ky kongres mund të jetë shansi i fundit për të rikthyer besimin e humbur.
Nëse ka reflektim, vetëkritikë dhe guxim për reforma të thella, mund të lindë një BDI e re, më e përgjegjshme dhe më afër qytetarit.
Por nëse gjithçka mbetet në nivel fjalësh dhe arsyetimesh, atëherë rruga është e qartë: partia që dikur udhëhiqte shqiptarët, rrezikon të shkon në historinë politike.


