U.D. kryetari i Gostivarit dhe kandidati i AKI-së në zgjedhjet e 19 tetorit, Valbon Limani, deklaroi në emisionin Stadion të Kanal 77 se koncepti i “zgjedhjeve të përsëritura” nënkupton domosdoshmërinë e zhvillimit të garës me të njëjtët kandidatë si në raundin e parë.
Ai theksoi se interpretimet juridike që ka marrë nga ish-gjyqtarë dhe ekspertë të së drejtës konfirmojnë se rregullat duhet të jenë të njëjta për të gjithë.
“Nuk mund të ndodhë që unë të kërkoj census prej 17 mijë votash më 19 tetor, ndërsa një kandidat i ri, i cili nuk ka qenë pjesë e garës, të bëhet kryetar komune me 5 mijë vota pa asnjë census. Kjo e cenon barazinë dhe e shtrembëron demokracinë”, u shpreh Limani.
Ai kërkoi qartësi nga institucionet dhe paralajmëroi se ndryshimi i parimeve të garës do të hapte dyer të rrezikshme për manipulim politik.


