Ajo që po ndodh sot në skenën politike shqiptare nuk është dorëheqje, është rrëzim. Është shembja e një ndërtese të ngritur me mashtrime, improvizime dhe lojëra pas shpinës së qytetarëve. Me tërheqjen e Krenar Llogës, pas largimit të Menduh Thaçit, pas panikut në BDI dhe heshtjes tre–kokëshe Ahmeti–Taravari–Sela tash e tetë ditë, është bërë krejtësisht e qartë: AKI nuk ekziston më. Është shuar, tretur dhe mbetur vetëm si një hije e vetvetes.
Këta që dikur pozonin si shpëtimtarë të shqiptarëve, sot nuk kanë guximin të japin as një deklaratë. Heshtja e tyre nuk është taktikë, është kapitullim. BDI tentoi të shesë “reformë” me Blerim Bexhetin, por qytetarët janë lodhur nga paketimi i vjetër me letër të re. Kush tenton të rikthejë të dështuarin si shpëtimtar, vetëm dëshmon se ka mbetur pa ide, pa njerëz dhe pa fytyrë politike.
Rënia e AKI-së është dëshmia më e madhe se kulla e mashtrimeve 20-vjeçare po shkërmoqet gur më gur. Populli shqiptar nuk pranon më lojëra. Nuk pranon më etiketime, fyerje e kërcënime. Shqiptarët në “referendumin” e tyre vulosën çlirimin përfundimtar.
VLEN rithekson: Ne jemi këtu, të fortë, të bashkuar dhe me legjitimitet të plotë. Ata po largohen nga skena, ne po hyjmë në epokën e përgjegjësisë. Është fundi i rrenave dhe fillimi i punës së vërtetë.


