Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan ka reaguar sot nëpërmjet një deklarate zyrtare, duke shprehur mbështetjen institucionale për Koalicionin Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës, si edhe për Pastor Akil Panon, pas publikimeve të fundit në media dhe rrjete sociale që, sipas saj, përmbajnë gjuhë denigruese dhe sulme ndaj tyre.
Në deklaratë, Qendra thekson se si institucion i angazhuar për dialogun dhe harmoninë ndërfetare, shpreh “shqetësim të thellë” për përhapjen e gjuhës së urrejtjes ndaj një përfaqësuesi të klerit dhe një organizate që mbështet vlerat e familjes, jetës dhe lirisë së besimit. Sipas saj, çdo formë kërcënimi apo diskreditimi ndaj klerikëve bie ndesh me parimet demokratike dhe të drejtat themelore të njeriut.
Qendra i bën thirrje institucioneve kompetente që të ndjekin me vëmendje situatën dhe të sigurojnë mbrojtjen e dinjitetit dhe lirisë së shprehjes së përfaqësuesve fetarë.
Në përmbyllje, Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan riafirmon angazhimin e saj në promovimin e paqes, dialogut dhe respektit ndërmjet komuniteteve të ndryshme në vend.


