Shkruan Emad Mehmeti
Disa diplomatë në Maqedoninë e Veriut, në forma jozyrtare, kanë kërkuar sqarime nga Albin Kurti për qëndrimin e tij ndaj zhvillimeve politike tek ne, duke pasur parasysh hovin që ka marrë e ashtuquajtura “Bota Serbe” në rajon. Sipas burimeve, Kurti është përgjigjur se nuk ka argumente për të folur për këtë temë.
Por, meqë kryeministri Kurti nuk i gjen argumentet, le t’ia kujtojmë një prej tyre. Në raportin e fundit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, thuhet qartë:
“Parlamenti Evropian shpreh shqetësim për të ashtuquajturin projekt ‘Bota Serbe’ dhe thekson se disa përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut e mbështesin dhe e promovojnë këtë koncept; dënon pjesëmarrjen në takime ku bëhen përpjekje për krijimin e një sfere ndikimi që minon sovranitetin e vendeve të tjera dhe stabilitetin e rajonit.”
Kjo nuk është deklaratë diplomatike, por konstatim politik. Ky raport është këmbanë alarmi. “Bota Serbe” tashmë po lëshon rrënjë në RMV, dhe kjo është e dukshme për këdo që vëzhgon me kujdes zhvillimet e fundit. E nëse diplomacia kosovare nuk e sheh apo nuk e artikulon qartë këtë realitet, atëherë mosprezenca i saj e le hapësirë ndikimit serb ta thellojë praninë e vet në institucionet dhe skenën politike të Shkupit.
Pavarësisht kësaj mospërputhjeje, një gjë mbetet e padiskutueshme: Albin Kurti, mes politikanëve shqiptarë të rajonit, vazhdon të shihet si modeli më i pastër në qeverisje dhe në raport me interesin publik. Por shpesh kjo nuk është e mjaftueshme në politikë, sepse ndërkohë që në Kosovë Kurti lufton ndikimin serb, në Maqedoninë e Veriut “Bota Serbe” po hyn pa pengesa.


