Komuna e Gostivarit ka dalur me sqarim pas deklaratës së kryeministrit lidhur me miratimin e dy Planeve Detale Urbanistike, duke theksuar se çdo procedurë është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin dhe se kryeministri është “keqinformuar” për rastin.
Në reagim thuhet se procesi është bazuar në nenin 38, paragrafi 2 të Ligjit për planifikim urbanistik, i cili përcakton afatet dhe kompetencat mes komunës dhe Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.
“Sipas këtij neni, Ministria e Transportit ka një afat 20-ditor për të dhënë pëlqim ose për të dorëzuar njoftim me vërejtjet e konstatuara. Në rast se Ministria nuk vepron brenda këtij afati, ligji parashikon qartë që Kryetari i Komunës e dërgon planin në Kuvendin Komunal, i cili e shqyrton dhe vendos në votim në seancën e parë të radhës,” thuhet në reagim.
Nga Komuna theksojnë se planet janë miratuar më 2 gusht 2025, në një mbledhje të Këshillit Komunal ku kanë marrë pjesë dhe votuar pro edhe këshilltarë të VMRO-DPMNE-së, gjë që, sipas njoftimit, tregon qartë se procesi ka qenë i rregullt, ligjor dhe transparent.
“Po të kishte pasur parregullsi, këshilltarët nga partia e kryeministrit nuk do të kishin votuar për to,” thuhet më tej.
Në reagim gjithashtu përmendet se për dy planet e përmendura janë zhvilluar dy inspektime nga Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale, dhe në procesverbalet përkatëse është konstatuar se miratimi i tyre është bërë në përputhje me dispozitat ligjore, pa asnjë vërejtje apo shkelje.
“Komuna e Gostivarit mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe respektimit të plotë të ligjit. Çdo veprim realizohet në përputhje me kornizën ligjore të shtetit dhe nuk ka vend për interpretime të pasakta apo tendencioze,” përfundon reagimi i komunës. Gazeta Flaka
Portali është në pronësi të Almakos, lajmet dhe informacionet tjera nga portali nuk mund të kopjohen, të printohen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi. Për të shfrytëzuar informatat e këtij portali ju lutemi kontaktoni personat përgjegjës, ose shkruani në email-in oficial të portalit.
ALMAKOS MEDIA GROUP Adresa: Miroslav Krleza 14, 1000 Shkup, Maqedoni Veriore Tel/fax: +389 71 322 229 Email:[email protected] | [email protected]