Është ngritur kallëzim penal kundër tetë personave fizikë – ish-zyrtarë dhe të punësuar në Komunën e Sarajit dhe në Qytetin e Shkupit, si dhe ndaj një inxhinieri mbikëqyrës, për shkak të dyshimit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve, mospërmbushje të ndërgjegjshme të detyrës dhe falsifikim ose shkatërrim të librave afaristë. Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike – Shkup, kundër personave: Blerim Bexhetit në cilësinë e ish-kryetarit të Komunës së Sarajit, S.Sh. dhe Q.K. në cilësinë e ish-sekretarëve të komunës, A.S. dhe Q.A. si udhëheqës të sektorëve për urbanizëm, A.Sh. si bashkëpunëtor i ri në komunë, I.B.Sh. si udhëheqës i sektorit për planifikim dhe rregullim të hapësirës në Qytetin e Shkupit, dhe L.T. si inxhinier mbikëqyrës.
Të gjithë ata dyshohen se kanë kryer vepra penale sipas nenit 353 të Kodit Penal të RMV (“Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimeve”), nenit 353-v (“Mospërmbushje e ndërgjegjshme e detyrës zyrtare”), dhe nenit 280 (“Falsifikim ose shkatërrim i librave afaristë”).
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se të pandehurit, të punësuar në Komunën e Sarajit, edhe pse ishin të vetëdijshëm se për parcelën kadastrale nr. 10405/6 KO Saraj nuk ekziston plan urbanistik i detajuar, duke tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, kanë përgatitur dhe miratuar një ekstrakt plani dhe leje ndërtimi me përmbajtje të rreme, si dhe llogaritje për kompensimin e rregullimit të tokës ndërtimore, në kundërshtim me dispozitat ligjore. Ndërkohë, inxhinieri mbikëqyrës ka kryer kontroll teknik të objektit dhe ka përgatitur raport përfundimtar me përmbajtje të rreme. Në këtë mënyrë, personat e akuzuar, duke keqpërdorur pozitën dhe detyrën e tyre, si dhe duke mos e ushtruar me ndërgjegje funksionin publik, i kanë mundësuar shoqërisë tregtare ‘Azra Idriz’ DOOEL nga fshati Gllumovë – Saraj, Shkup, të përfitojë në mënyrë të paligjshme pasuri materiale në vlerë prej 108.638.840 denarë”, thuhet në njoftimin e Policisë Financiare.


