Policia e Vlorës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Game Over”, duke goditur një rast të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit në një lokal në qytetin bregdetar.
Në kuadër të këtij operacioni, të zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, u arrestuan në flagrancë pronari i lokalit, A. L., 32 vjeç, dhe administratori, S. T., 42 vjeç, të cilët dyshohen se kishin vënë në funksion disa kompjutera për zhvillimin e lojërave të fatit, shkruan vizionplus.tv.
Gjatë kontrollit në lokalin që ndodhet në lagjen “24 Maji”, policia sekuestroi: 7 pajisje kompjuterike të përdorura për lojëra fati,, 1 valixhe me çipsa pokeri, dhe 1 përforcues metalik grushti.
Verifikimet e mëtejshme zbuluan se pronari i lokalit, A. L., ishte gjithashtu i shpallur në kërkim nga DVP Berat, pasi dyshohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për vijimin e hetimeve të mëtejshme.


