Tajvani ka evakuuar mbi 8 mijë e 300 persona përpara mbërritjes së tajfunit Fung-wong të mërkurën, i cili ishte dobësuar ndjeshëm, por solli reshje të dendura shiu në bregun lindor malor dhe shkaktoi përmbytje.
Reuters shkruan se bizneset dhe shkollat u mbyllën në shumicën e zonave jugore të ishullit, ndërsa 51 persona u plagosën.
Pamjet televizive treguan përmbytje të rënda në pjesë të qarkut lindor rural Yilan, ku uji kishte arritur deri në pjesën e qafës, ndërsa ushtarët po kryenin operacione shpëtimi për të bllokuarit.
“Uji hyri aq shpejt,” tha peshkatari Hung Chun-yi, i cili kaloi natën duke pastruar baltën nga shtëpia e tij në qytetin port lindor të Suao, pasi kati i parë u përmbyt me ujë deri në 60 cm thellësi. “Ra aq shumë shi, dhe aq shpejt, sa sistemi i kanalizimeve nuk e përballoi dot.”
Departamenti i zjarrfikësve tha se rreth 8 mijë e 300 persona u zhvendosën nga shtëpitë e tyre në zona më të sigurta. Qyteti Dongshan në Yilan mori 794 mm shi të martën.
Parashikimet e metereologëve tregojnë se tajfuni Fung-wong do të prekë skajin jugor të Tajvanit më vonë të mërkurën e 12 nëntorit, përpara se të zhvendoset drejt Oqeanit Paqësor. Tajfuni kishte humbur ndjeshëm fuqinë pasi kaloi nëpër Filipine, ku shkaktoi vdekjen e 27 personave.
Sjellim ndërmend se në muajin shtator, një tjetër tajfun shkaktoi përmbytje që morën jetën e 18 personave në qytetin Hualien të Tajvanit.
Tajfuni i kësaj jave nuk pritet të ndikojë drejtpërdrejt qytetin verior të Hsinchu, ku ndodhet kompania TSMC, prodhuesi më i madh në botë i çipave me kontratë.


