Një konflikt mes dy personave në Vlorë ka përfunduar me plagosjen e një 30-vjeçari në lagjen “24 Maji” të qytetit bregdetar. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 10 nëntorit, ku shtetasi me inicialet E. L., 32 vjeç, ka goditur me thikë 30-vjeçarin B. S., duke e plagosur në kraharor dhe qafë.
I plagosuri ndodhet në Spitalin Rajonal të Vlorës, jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Vlorës ka njoftuar se pas ngjarjes, u arrestuan në flagrancë autori i ngjarjes si dhe një person tjetër të përfshirë në konflikt.
Të arrestuarit janë:
–E. L., 32 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, për veprat penale: “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
–A. L., 23 vjeç, banues në të njëjtën lagje, për veprat penale: “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzim i krimit”.
Nga hetimet rezultoi se të dy të arrestuarit kishin pasur më parë konflikte të cilat nuk i kishin raportuar autoriteteve.
“Nga veprimet hetimore rezultoi se më herët, këta dy shtetas kishin pasur një konflikt për motive të dobëta, të cilin nuk e kishin kallëzuar. Për shkak të përshkallëzimit të tij, mbrëmjen e datës 10.11.2025, shtetasi E. L. është konfliktuar fizikisht dhe me mjete prerëse me shtetasit A. L. dhe B. S., gjatë të cilit ka goditur me thikë, në pjesën e kraharorit dhe të qafës, shtetasin B. S., 30 vjeç. Ky shtetas ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjatë kontrolleve të kryera në banesat e të arrestuarve, policia sekuestroi një armë gjahu pa leje dhe disa thika, të dyshuara si të përdorura në ngjarje.


