Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të martën e 11 nëntorit, zgjati pezullimin e një urdhri gjyqësor që kërkonte nga administrata e presidentit Donald Trump të financojë plotësisht ndihmën ushqimore për 42 milionë amerikanë me të ardhura të ulëta këtë muaj, në kushtet e mbylljes së qeverisë federale, edhe pse ligjvënësit po ndërmarrin hapa për t’i dhënë fund ngërçit.
Ky vendim i gjykatës i lejon përkohësisht administratës të vazhdojë të mbajë pezull rreth 4 miliardë dollarë nga Programi i Ndihmës Ushqimore Shtesë, i njohur si SNAP ose kuponët ushqimorë, shkruan Reuters.
Avokatët e administratës i thanë gjyqtarëve të hënën se përfundimi i mbylljes së qeverisë do ta eliminonte nevojën për të ndaluar zbatimin e urdhrit gjyqësor, ndaj zgjatja e pezullimit të lëshuar të premten nga gjyqtarja Ketanji Brown Jackson mund të jetë jetëshkurtër.


