Ndryshimi i kombëtareve të mos jetë i mundur pa paguar. Kjo është ideja që po shqyrtohet nga Federata Gjermane e Futbollit, e cila duket se kërkon që të shmangë largimin e futbollistëve në të ardhmen.
Drejtori i Federatës Gjermane të Futbollit, Andreas Reting, ka shpjeguar për mediat se po shihet mundësia që të nxitet FIFA të vendosë pagesa për ndryshimin e kombëtareve. Sipas gjermanëve, është e padrejtë që një Federatë të mos përfitojë asgjë nga një lojtar të cilin e ka stërvitur dhe më pas zgjedh të përfaqësojë një shtet tjetër.
“Është plotësisht e pakuptimtë për mua se pse një lojtar i cili është stërvitur për 5 vite nga një klub, e nga federata gjithashtu që është partnere e klubit, të ndryshojë falas ekipin kombëtar. Ne po shqyrtojmë mundësinë që të përfitojmë një kompensim për ndryshimin e përfaqësueseve. Trajnimi duhet të sjellë përfitim për të dy palët, si për të trajnuarin si për atë që e trajnon”, tha ai.
Nëse plani i Gjermanisë rezulton i suksesshëm, FSHF duhet të ngutet të sigurojë sa më parë një “po” nga emra si Nelson Vaiper, Brajan Gruda apo Arijon Ibrahimoviç që i monitoron prej kohësh, pasi përndryshe mund të jetë e detyruar të paguajë për të siguruar kalimin e tyre te fanella kuqezi.
PANORAMASPORT.AL


