I dërguari i posaçëm i SHBA gjatë kohës së luftës në Kosovë, Christopher Hill do të vazhdojë sot dëshminë e tij në seancën gjyqësore ndaj ish krerëve të UÇK-së para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Hill filloi dëshminë e tij para dy ditësh ku tregoi se si kishte nisur të mirrej me çështjen e Kosovës. Ai tha se kjo ishte kërkesë e ish sekretares amerikane, Madeline Albright që ia bëri atij në atë kohë.
“Së pari jam përfshirë [në çështjen e Kosovës] nga SHBA në maj të vitit 1998, mora telefonatë nga Madeline Albright që më kërkoi të merrja përsipër postin e të dërguarit të posaçëm në Kosovë, ku i raportoja sekretares së shtetit, Madeline Albright. E kuptova rolin tim që ne duhet të ofronim mbështetje dhe zgjidhje politike dhe duhet të ndihmonim të zbrasnim forcat atje nga dhuna në rritje, jam përpjekur me kolegët që në fillim fare të mund të ndërtonim një plan autonomie në mënyrë që të rikthehej autonomia e Kosovës dhe në mënyrë të tillë që të kishte qeverisjen e vet. Kjo ishte pista kryesore që ndiqnim me Kosovën dhe Serbinë”, tha fillimisht ai.
Përveç kësaj, Hill sqaroi edhe takimin e ish-presidentit, Ibrahim Rugova me Millosheviqin duke thënë se ky takim ishte kërkesë e ambasadorit, Holbrooke.
Kjo ishte hera e parë kur ambasadori Holbrooke shkoi në Prishtinë unë shkova me të dhe ne u ulëm me Presidentin Rugova, edhe pse nuk e kishim menduar paraprakisht, ambasadori mendoi që do ishte ide e mirë që Presidenti Rugova të takohej me Millosheviqin në Beograd sepse shpresonte që ky takim do të zgjidhte shumë probleme, unë isha më skeptik. Takimi ndodhi në Beograd në fund të majit apo fillim të qershorit. Mendoj që kjo e dëmtoi atë sepse nuk mendoi që kishte mendim të fuqishëm në Kosovë se takimi me Millosheviqin mund të ndihmonte për situatën në Kosovë, ai ishte i shqetësuar por nuk donte të gjendej në situatën ku refuzonte sugjerim nga ambasadori. Rugova ishte udhëheqësi joformal i gjithë Kosovës dhe mendoi që kundërshtimi ndaj tij po rritej sepse kishte përshtypje që ai nuk po arrinte progres. Ai po kalonte një moment të vështirë për të legjitimuar udhëheqjen e tij dhe ndjenja e arritjes së diçkaje në raport me Serbinë, sepse Bosnja kishte rrugë-dalje falë marrëveshjes së Deytonit”, tha Hill.
Hill vazhdon dëshminë e tij sot nga ora 09:00.
Kujtojmë se Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020, akuzohen për krime të pretenduara të luftës për çka janë deklaruar të pafajshëm.


