Kombëtarja e Kosovës në futboll ka zhvilluar stërvitjen e parë përgatitore për ndeshjet e rëndësishme kundër Sllovenisë dhe Zvicrës, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Seanca e parë u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku ishin të pranishëm vetëm dhjetë lojtarë. Pjesa tjetër e futbollistëve të ftuar nga përzgjedhësi Franco Foda qëndruan në hotel për rigjenerim pas ndeshjeve që kishin zhvilluar me klubet e tyre në fundjavë.
Lojtarët e pranishëm në stërvitjen e parë ishin: Visar Bekaj, Faton Maloku, Ilir Krasniqi, Leard Sadriu, Mërgim Vojvoda, Veldin Hoxha, Valon Berisha, Milot Rashica, Edon Zhegrova dhe Fisnik Asllani.
Kosova do të përballet të shtunën me Slloveninë në Lubjanë në ndeshjen e parafundit të kualifikimeve, ndërsa të martën e ardhshme luan në Prishtinë ndaj Zvicrës.
Aktualisht, Kosova renditet e dyta në grup, pas Zvicrës. Dardanët kanë 7 pikë, tri më pak se lideri Zvicra, ndërsa Sllovenia zë vendin e tretë me 3 pikë dhe Suedia e fundit me 1 pikë.
Në grup, vendi i parë siguron kualifikimin direkt në Botërorin e vitit të ardhshëm që mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë, ndërsa vendi i dytë do të luajë në play-off për të siguruar pjesëmarrjen.
https://www.facebook.com/FFKKosova/posts/1136705591953466?ref=embed_post


