Pamjet që po shihni janë kulmi i transformimit të gjuhës së urrejtjes në krim. Ngjarja ka ndodhur para një jave në Prilep, në ndeshjen mes KF Pobedës dhe Shkëndijës së Haraçinës. Tifozi i cili është pjesë e grupit të quajtur “Majmunë” ka sulmuar fizikisht zhveshtoren e lojtarëve të Shkëndijës, pas minutave të mbushura me thirrje raciste dhe gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Tërë këtë e ka evidentuar Federata e Futbollit të Maqedonisë dhe e ka dënuar Pobedën me 3 mijë euro dhe i ndalohet të luajë 4 ndeshje pa publik. Në vendim, thuhet që me aktin e tifozit që thyen dritaren është rrezikuar siguria e futbollistëve të Shkëndijës.
Policia, personin e ka arrestuar, por nuk japin shpjegim se çfarë mase është ndërmarrë kundër tij dhe nëse është dorëzuar padi penale.
Thirrje të ngjashme, pati edhe në ndeshjen mes Pelisterit dhe FC Shkupit, kur shqiptarët, gjithashtu u fyen.
Por, edhe për këtë rast, Policia nuk ka asnjë përgjigje nëse ka gjetur ndonjë person që shan shqiptarët.
Epilog, nuk ka marrë edhe rasti i 2 gushtit, në sallën sportive të Kumanovës, gjatë ndeshjes kualifikuese të basketbollit mes reprezentacioneve të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.
Shqiptarët, gjithashtu ishin në shënjestër të fjalorit racist.
Ironia, është se thirrjet e këtilla janë bërë në sy të kryeministrit Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve Ivan Stoilkoviq, ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski e kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Në mungesë të identifikimit të personave që fyenin shqiptarët, Policia ka informuar se ka arrestuar një person me inicialet S.A. i cili dyshohet se gjatë pushimit të ndeshjes së 2 gushtit në Kumanovë është përpjekur të fusë një banderolë me përmbajtje fyese. Pavarësisht se ky rast nuk ka kurrfarë lidhje me thirrjet raciste dhe diskriminuese, ende nuk ka kurrfarë informimi për epilogun e këtij rasti.
Megjithatë, shteti është treguar mjaft efikas për një rast kur një shtetas gjerman me kombësi shqiptare, në natën e 5 gushtit u arrestua në një rrugë në Shkup pak para se të fillonte ndeshja mes Shkëndisë dhe Karabagut. Faji i tij, ishte se ka valëvitur flamurin kuq e zi me mbishkrimin “Autokton” në pjesën e pasme të motoçikletës. Gjykata e Shkupit e dënoi me procedurë të shpejtuar me dy vite burg me kusht dhe 5 vite ndalesë për të hyrë në Maqedoni. /Alsat.mk


