Instituti për Gjeopolitikë, Ekonomi dhe Siguri (IGES) në Sarajevë priti ish-presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili mbajti një ligjëratë dhe ishte i ftuar kryesor në dialogun me anëtarët dhe miqtë e IGES, me temën “Paradigma e re gjeopolitike: Roli i Ballkanit në Europën që ndryshon”.
Pendarovski theksoi se ndryshimi kryesor gjeopolitik që transformoi Europën dhe Ballkanin ishte fundi i epokës bipoalre (1949–1991) dhe hyrja në periudhën unipolare, një moment që sipas tij lejoi krijimin e shteteve të pavarura në ish-Jugosllavi. Një tjetër moment i rëndësishëm ishte 1999, kur NATO bombardoi atëherë Federatën Jugosllave (Serbi dhe Mali i Zi) për shkak të situatës në Kosovë.
“Çdo vend në rajon e përjetoi bombardimin në mënyrë të ndryshme, nga miratimi tek kundërshtimi”, tha Pendarovski.
Ai shtoi se më pas, vendet e rajonit filluan integrimin në NATO dhe Bashkimin Europian, duke nisur nga Sllovenia, e cila u bë anëtare e të dyja institucioneve në vitin 2004, duke hapur rrugën për integrimin e vendeve të tjera të ish-Jugosllavisë.
Pendarovski vuri në dukje se Amerika kishte një prani më të madhe në rajon deri më 11 shtator 2001, dhe më pas gradualisht filloi të tërhiqej, duke i lënë proceset politike dhe të sigurisë në dorë të BE-së, e cila për shkak të strukturës së saj komplekse vendimmarrëse ka një ritëm më të ngadaltë.
“Duke qenë se shpesh jemi lënë në dorë të elitave lokale dhe pa përvojë demokratike, integrimi euroatlantik u ngadalësua,” tha ai, duke shtuar:
“Askush nuk ka ndryshuar emrin e vendit për t’u bërë anëtar i një organizate ndërkombëtare, siç bëri Maqedonia kur iu bashkua NATO-s. Kjo e bëri vendin më të sigurt.”
Ai gjithashtu theksoi se pushtimi rus i Ukrainës në 2022 është një moment gjeopolitik shumë i rëndësishëm, ndoshta më i rëndësishëm se vetë rënia e komunizmit, pasi ndikoi thellë në vetëdijen europiane.
“Ardhja e presidentit Trump në mandat të dytë sjell gjithashtu ndryshime në gjeopolitikë. Autokratët në rajon dhe Europë e mbështesin Trump sepse besojnë se sovraniteti duhet të kontrollojë shtetet, por historia tregon se asnjë vend i izoluar nuk ka arritur të bëhet i madh apo të krijojë një perandori. Pra, izolimi nuk është i mirë,” shtoi Pendarovski.
Ish-presidenti gjithashtu përmendi rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi në BE deri në fund të dekadës.
“Do të doja që vendi im të ishte pjesë e kësaj grupi, por për fat të keq, aktualisht qeveria në Shkup nuk po shqyrton këtë mundësi”, përfundoi Pendarovski.


