Në përpjekjen globale për të ulur varësinë nga karburantet fosile, Japonia ka bërë një hap historik drejt energjisë së pastër.
Muajin e kaluar, vendi aziatik inauguroi në Fukuoka centralin e parë të energjisë “osmoticë”, duke u bërë shteti i dytë në botë që investon në këtë teknologji, pas Danimarkës, e cila hapi të parën në vitin 2023.
Energjia “osmoticë”, e njohur edhe si “energji blu”, prodhohet nga përzierja e ujit të ëmbël me ujin e kripur përmes një membrane gjysmëpërshkuese. Ky proces gjeneron presion që lëviz turbina për të prodhuar elektricitet.
Ekspertët theksojnë se kjo lloj energjie ka avantazhin e prodhimit të pandërprerë, pasi nuk ndikohet nga klima apo drita e diellit, si në rastin e energjisë diellore apo eolike. Për më tepër, nuk lëshon emetime të drejtpërdrejta të CO₂.
Megjithatë, sfidat teknike mbeten. Sipas inxhinieres Sandra Kentish nga Universiteti i Melburnit, humbjet e energjisë gjatë pompimit dhe kalimit të ujit në membrana janë ende të konsiderueshme.
Pavarësisht pengesave, studiuesit besojnë se nëse potenciali i saj shfrytëzohet në grykëderdhjet e lumenjve të mëdhenj, kjo energji mund të mbulojë deri në 40% të kërkesës globale.


