Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar ndaj veprimeve të fundit të pushtetit, të cilat, sipas tij, synojnë të imponojnë “kryetarë ushtrues detyre” në komunat e Gostivarit dhe Vrapçishtit.
“Njihet rëndom në histori se si pushtete kokëfortë kanë kërkuar të nënshtrojnë vullnetin e popullit. Kështu po ndodh edhe sot me përpjekjet për të sjellë kryetarë të përkohshëm në Gostivar e Vrapçisht”, – ka shkruar Taravari.
Ai ka theksuar se këto ndërhyrje vetëm sa forcojnë më shumë vullnetin e qytetarëve:
“Sado paradoksale, historia dëshmon se lëvizje të tilla e bëjnë edhe më të fortë vullnetin e sovranit. Fitues dhe kryetarë të popullit të Gostivarit dhe Vrapçishtit janë Valbon Limani dhe Isen Shabani. Këto manovra të shtetit ndaj tyre po i bëjnë këta djem fitues historikë!” – ka përfunduar ai.


