Në Kukës u zhvillua një ceremoni solemne për inaugurimin e monumentit “Shqiponja”, një vepër artistike voluminoze që prej ditës se djeshme, do të qëndrojë në hyrje të qytetit, aty ku kryqëzohen rrugët që lidhin Kukësin me Rrugën e Kombit dhe me zonën e Hasit.
Kjo vepër arti është një dhuratë nga filantropi tetovar Lazim Destani, i njohur për kontributin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të projekteve kulturore dhe kombëtare shqiptare.
Në ceremoninë e organizuar me pjesëmarrjen e institucioneve vendore, morën pjesë kryetari i Bashkisë së Kukësit Albert Halilaj, ish-kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë të shumtë.






