Në vend të një sistemi të ri dhe modern që do të rregullonte automatikisht nivelin e Liqenit të Ohrit, përmes rrjedhës së lumit Drini i Zi, kjo do të vazhdojë të bëhet në mënyrën e vjetër me ndihmën e dërrasave. Këto ditë përfundoi sanimi i objektit rregullator në Strugë. Por modernizimi i tij do të duhet të presë edhe disa vjet. TEC Drini i Zi, shpreson që deri në vitin 2028 të vihet në funksion.
“Ky objekt i përkohshëm jorregullues duhet të ndërtohet sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë të tillë, që të mos jetë i përkohshëm dhe fleksibël dhe të mos hapet dhe mbyllet me vullnetin e ELEM-it, domethënë gjatë gjithë vitit do të përdoret një matje uji prej 65 centimetrash dhe kështu ai sistem i sofistikuar, kur niveli i liqenit të bjerë në një lartësi mbidetare prej 693.12 metra, do të mbyllet automatikisht, duke lejuar vetëm minimumin biologjik që i nevojitet Drinit të Zi”, tha Gjoko Zoroski – aktivist ekologjik.
Zoroski thotë se me ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Drini i Zi në Maqedoni dhe Shqipëri, Liqeni i Ohrit u bë një rezervuar për nevojat energjetike të të dyja vendeve. Kjo është arsyeja pse ai thotë se nevojitet një rishikim urgjent i marrëveshjes për menaxhimin e ujit të liqenit, midis ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë që nga viti 1956.
“Prandaj, duhet të merren masa të përshtatura të menaxhimit, që do të thotë se duhet të përcaktohet lartësia minimale dhe maksimale e kuotës së Liqenit në kushtet klimatike të ndryshuara në mënyrë drastike”, u shpreh Gjoko Zoroski – aktivist ekologjik.
Por nga TEC Drini i Zi, pretendojnë se kujdesen për liqenin dhe Drinin e Zi.
“Në 7 vitet e fundit kemi pasur një periudhë jashtëzakonisht të thatë, dhe nga ana jonë po përpiqemi të ruajmë minimumin biologjik përmes shtratit të lumit të Drinit të Zi, po përpiqemi me kujdes të shpërndajmë/shkarkojmë liqenin në disa periudha të niveleve të larta të ujit që vijnë të paplanifikuara, që ta mbrojmë bregun e Ohrit dhe rajonin tonë nga përmbytjet e mundshme. Prodhimi është zvogëluar. Ne punojmë ekskluzivisht për të balancuar sistemin nacional të energjisë elektrike në ato maja, kur është më e nevojshme, përndryshe kursejmë ujë, në mënyrë që shtrati të mos thahet”, u shpreh Goce Bozhinovski, Drejtor i Degës së TEC Drini Zi.
Ndërkohë, niveli i liqenit është ulur ndjeshëm, si dhe zona të tëra janë aktualisht të thata. Tani është vetëm 8 centimetra në lartësinë minimale prej 693.10 metra të nivelit mbidetar./Alsat.mk


