Në katër ditët e para të nëntorit, në aksidente trafiku jetën e kanë humbur gjashtë persona në territorin e Maqedonisë së Veriut. Që nga fillimi i këtij viti, përfshirë tetorin, janë regjistruar 115 viktima, kumtoi MPB-ja.
“Gjatë vitit të kaluar, janë regjistruar 142 viktima në aksidente trafiku. Këto nuk janë vetëm numra, është djali i dikujt, nëna e dikujt, burri, fëmija i dikujt. Fëmijët e dikujt mbeten pa prindër dhe anasjelltas, prindërit mbeten pa fëmijët e tyre. Ky bilanc, pa dyshim, shkatërrues nuk është produkt i fatkeqësive natyrore apo konflikteve ushtarake, por rezultat i kulturës, mentalitetit dhe sjelljes sonë në trafik. Nuk duhet të lejojmë që trafiku të rritet nga një domosdoshmëri e përditshme në një të keqe të domosdoshme të jetesës bashkëkohore”, thonë nga MPB-ja.
Statistikat, siç shtojnë nga Ministria, tregojnë se shkaqet më të zakonshme të aksidenteve fatale të trafikut janë kryesisht mosrespektimi i rregullave të trafikut, d.m.th. përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit të automjetit, drejtimi me shpejtësi më të lartë se shpejtësia e lejuar, drejtimi nën ndikimin e alkoolit, etj.


