Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), përmes Qendrës së Kërkimeve Ballkanike, mbajti një konferencë shkencore me temë “Tridhjetë Vjet pas Marrëveshjes së Dayton-it: Trashëgimia e Aliya Izetbegović-it”. Ngjarja iu kushtua jetës, mendimit dhe rolit historik të Presidentit të parë të Bosnjë-Hercegovinës, në 30-vjetorin e marrëveshjes që i dha fund luftës dhe ndikoi në riformësimin politik të rajonit.
Në konferencë morën pjesë të ftuar të nderuar, akademikë, studiues dhe diplomatë.
Ata diskutuan mbi figurën e Izetbegović-it si lider, mendimtar dhe humanist. U theksua se vizioni i tij moral dhe intelektual mbeti një shembull i qëndrueshmërisë dhe besimit në dinjitetin njerëzor, në një nga periudhat më të vështira për Evropën moderne. Ngjarja shërbeu si hapësirë kujtimi dhe reflektimi mbi paqen, drejtësinë dhe përgjegjësinë morale. Konferenca u hap nga Koordinatori i Qendrës së Kërkimeve Ballkanike, Yrd. Doç. Dr. Flamur Ismaili, i cili falënderoi pjesëmarrësit dhe vuri në dukje se Qendra mbetet e përkushtuar në studimin e historisë, drejtësisë dhe pajtimit vlera që lidhen ngushtë me jetën dhe misionin e Izetbegović-it.
Rektori i IBU-së,
Prof. Dr. Lütfi Sunar, përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi se universiteti ka si synim të jetë urë e dialogut intelektual dhe kulturor në Ballkan. Ai nënvizoi se vizioni i Izetbegović-it për dije, ndershmëri dhe humanitet përputhet me misionin e universitetit, duke theksuar rolin e arsimit në ndërtimin e shoqërive të udhëhequra nga paqja dhe drejtësia.
Fjalimin kryesor e mbajti vajza e Presidentit, dhe Kryetare e Fondacionit “Aliya Izetbegović”, Prof. Sabina Izetbegović. Ajo u shpreh se ishte nder të merrte pjesë në këtë aktivitet dhe falënderoi organizatorët për kujdesin që i kushtojnë ruajtjes së kujtimit të babait të saj.
Ajo theksoi rëndësinë që ideja, vizioni dhe humanizmi i tij të vazhdojnë të përcillen tek brezat e rinj përmes platformave akademike. Gjatë programit, të pranishmit patën mundësinë të shikonin një video historike nga fjala e Izetbegović-it në vitin 1990 në Tetovë. Mesazhi i tij për unitet, dinjitet dhe këmbëngulje la përshtypje të fortë tek publiku, duke rikujtuar përkushtimin e tij të palëkundur ndaj së vërtetës.
Në panel morën fjalën disa studiues dhe bashkëpunëtorë të afërt të Izetbegović-it. Këshilltari dhe ish-shefi i kabinetit të tij, Faris Nanić, foli për besimin, përulësinë dhe thellësinë intelektuale që e karakterizonin liderin boshnjak.
Ai vuri në dukje se përballja me traumën e luftës dhe gjenocidit u bë shembull i fuqisë morale dhe shpresës kolektive të popullit të Bosnjës. Filozofi dhe akademiku Prof. Ferid Muhic bëri një analizë mbi zhvillimet në Bosnjë pas Marrëveshjes së Dayton-it. Ai lidhi përvojën boshnjake me krizat e sotme globale, përfshirë tragjedinë humanitare në Gaza, duke theksuar se kujtesa e gjenocidit duhet të mbetet një thirrje universale për parandalimin e padrejtësisë. Nga Fakulteti Juridik i IBU-së, Prof. Dr. Kire Sharlamanov e mbylli panelin duke folur për ndikimin e traumës kolektive dhe mënyrën se si shoqëritë e ndërtojnë kujtesën e tyre historike.
Ai theksoi se kujtimi i gjenocidit në Bosnjë mbetet i rëndësishëm për forcimin e kulturës së paqes, tolerancës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Përmes kësaj ngjarjeje, Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik dhe Qendra e Kërkimeve Ballkanike riafirmuan misionin e tyre për të mbështetur dialogun, dijen dhe kujtesën historike. Duke nderuar trashëgiminë e Aliya Izetbegović-it, IBU vazhdon të promovojë edukimin, mirëkuptimin dhe paqen midis brezave dhe kombeve.


