Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka hapur hetim ndaj katër personave – dy burra dhe dy gra – të dyshuar për veprën penale “Grabitje”, në bazë të nenit 237, paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal. Sipas akuzës, të dyshuarit kanë vepruar në grup dhe me forcë i kanë marrë një personi shumën prej 200 mijë denarësh.
Ngjarja ka ndodhur më 30 tetor, kur i dëmtuari kishte shkuar në një motel në Shkup me njërën nga të dyshuarat. Ajo i kishte propozuar të telefonojë një vajzë tjetër, me pretendimin se do ta ndihmonte për të gjetur “një hotel më të mirë dhe më të lirë”. I dëmtuari është pajtuar, dhe pas bisedës telefonike është bindur të largohet nga moteli.
Sapo kanë dalë në oborrin e errët të motelit, i dëmtuari është sulmuar nga dy burra, të cilët më herët kishin rënë dakord me të dy gratë për të kryer grabitjen. Sipas Prokurorisë, ata e kanë goditur viktimën me grushte në kokë dhe trup, e kanë rrëzuar në tokë dhe i kanë marrë paratë, telefonin celular dhe kartën e identitetit.
Prokurori publik i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale të Shkupit që për të katër të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimit, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së përsëritjes së veprës penale.
Njëra prej të dyshuarave ndodhet aktualisht në arrati, dhe masa e paraburgimit ndaj saj do të fillojë të zbatohet sapo të gjendet dhe të arrestohet.


