Hyrja e Xhandarmërisë së Serbisë brenda territorit të Kosovës, ku sipas raportimeve një person është plagosur dhe rrëmbyer, ka ngritur seriozisht shqetësimet për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin në veri të vendit.
Ky incident, që dyshohet se ka ndodhur në afërsi të vijës kufitare, është cilësuar si një provokim i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të Kosovës dhe si përpjekje e Serbisë për ta tensionuar situatën në terren.
Për rastin kanë reaguar Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, KFOR, Policia e Kosovës si dhe organe tjera kompetente.
Presidentja Vjosa Osmani, e quajti këtë dëshmi shtesë të qasjes hegjemoniste të Serbisë, ku çdo qytetar që flet për regjimin autokratik të Vuçiqit, sulmohet e torturohet.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e quajti shkelje të rëndë të kufijve shtetërorë dhe vazhdë të politikave për frikësim dhe përndjekje ndaj qytetarëve që nuk i binden regjimit të Vuçiqit.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka nisur hetimet zyrtare, në koordinim me Prokurorinë Themelore të Mitrovicës – Departamentin për Krime të Rënda, si dhe me institucionet e tjera relevante të sigurisë.
Misioni i NATO-s në Kosovës, KFOR-i ka bërë të ditur se është në dijeni për rastin, ndërsa ka theksuar se situata e sigurisë përgjatë vijës kufitare administrative mbetet e qetë.
Ndërkaq, ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës, Radoica Radomiroviq, ka pretenduar se ka qenë dëshmitar në rastin e rrëmbimit të serbit Milan Vukashinoviq në Leposaviq nga xhandarmëria serbe, që sipas Policisë së Kosovës ndodhi më 1 nëntor.
Ish-ministri i mbrojtjes: Hyrja e xhandarmërisë serbe është alarm për sigurinë, duhet rritur bashkëpunimi me qytetarët dhe aleatët ndërkombëtarë
Ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, për FrontOnline ka folur pas ngjarjes së fundit në veri të vendit, ku Xhandarmëria e Serbisë ka hyrë në territorin e Kosovës, duke plagosur dhe rrëmbyer një person.
Ai e ka cilësuar këtë veprim si “alarmant” për sigurinë kombëtare dhe për praninë ndërkombëtare në Kosovë.
“Sigurisht që është alarmante për institucionet e sigurisë dhe për praninë ndërkombëtare, kështu që ishte dashur të merreshin masa shtesë, me e rritë bashkëpunimin me qytetarët në Veri dhe me i ndalu këto ngjarje që të mos ndodhin më”, ka deklaruar Berisha për FrontOnline.
Ai theksoi se strukturat e sigurisë duhet të jenë më të koordinuara mes vete dhe me partnerët ndërkombëtarë, për të parandaluar provokime të tilla.
“Kur jemi te institucionet e sigurisë, edhe me AKI-në edhe me Policinë, por edhe me praninë ndërkombëtare, duhet me e rritë bashkëpunimin, me i paraparë këto provokime të mundshme që mund të ndodhin në veri”, ka shtuar Berisha.
Hisen Berisha: Heshtja institucionale ndaj rastit në veri është po aq e rrezikshme sa vetë agresioni
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë në Kuvend, Hisen Berisha, për FrontOnline ka folur pas hyrjes së xhandarmërisë së Serbisë brenda territorit të Kosovës, ku është raportuar se një person është plagosur dhe rrëmbyer.
Ai ka paralajmëruar se incidenti paraqet një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe integritetin territorial të vendit.
“Rreziku për sigurinë kombëtare është real dhe i shumëfishtë, qoftë juridik, institucional dhe ushtarak. Nëse një forcë e armatosur e shtetit fqinj mund të hyjë brenda territorit tonë, të plagosë e të marrë peng një qytetar, pa asnjë reagim të menjëhershëm nga institucionet e Kosovës apo partnerët ndërkombëtarë, atëherë kemi të bëjmë me legjitimim të heshtur të agresionit”, ka deklaruar Berisha.


