Katër persona u arrestuan dhe dy të tjerë u proceduan penalisht nën akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetin e Elbasanit.
Operacioni i koduar “Terreni”, i finalizuar sot, goditi grupin e të rinjve që ishte dedikuar kryesisht në shitjen e hashashit në doza, teksa si provë përveç drogës u sekuestrua edhe një armë e ftohtë.
Policia vendore tha se aksioni u nda në tre raste të ndryshme të goditjes së aktivitetit të paligjshëm.
Në rastin e parë u arrestuan O. Ç., 21 vjeç, H. B., 20 vjeç dhe K. P., 19 vjeç, pasi nga kontrolli në automjetin me të cilin ata lëviznin në lagjen “5 Maji”, u gjet sasi kanabisi e ndarë në doza dhe gati për shitje. I katërti u prangos G. M., 36 vjeç dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 33 vjeç, pasi nga kontrollet fizike, në lagjen “Beqir Dardha”, të arrestuarit iu gjet 1 armë e ftohtë thikë, që dyshohet se posedohej me qëllim shitjen, si dhe një sasi hashashi.
I fundit u procedua në gjendje të lirë S. S., 36 vjeç, pasi nga kontrolli në automjetin që drejtonte në lagjen “Partizani”, u gjet një sasi kanabisi.
Njoftimi i Policisë së Elbasanit:
“Si rezultat i monitorimit 24/7, të të gjithë territorin e qarkut, si dhe i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë policore, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të operacionit “Terreni”, goditën 3 raste të shitjes së lëndës narkotike Cannabis Sativa dhe 1 rast të shitjes së armës së ftohtë. Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste:
-u arrestuan shtetasit O. Ç., 21 vjeç, H. B., 20 vjeç dhe K. P., 19 vjeç, pasi nga kontrolli në automjetin me të cilin ata lëviznin në lagjen “5 Maji”, u gjet sasi lënde narkotike Cannabis Sativa e ndarë në doza gati për shitje;
-u arrestua shtetasi G. M., 36 vjeç dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 33 vjeç, pasi nga kontrollet fizike, në lagjen “Beqir Dardha”, të arrestuarit iu gjet 1 armë e ftohtë (thikë) që dyshohet se posedohej me qëllim shitjen, ndërsa të proceduarit iu gjet një sasi Cannabisi;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. S., 36 vjeç, pasi nga kontrolli në automjetin që drejtonte në lagjen “Partizani”, u gjet një sasi Cannabisi.
Lënda narkotike dhe arma e ftohtë, të gjetura në këto raste, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme”.


