VALENTINA MADANI/ Anastas Angjeli flet për humbjen e Fatos Nanos si humbje të një njeriu të mendimit të lirë, të urtësisë dhe vizionit politik, që i parapriu kohës së vet/
Ish-ministri socialist ka ndarë me Fatos Nanon jo vetëm miqësi të hershme, por edhe një bashkëpunim politik, që zgjati më shumë se tri dekada. Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, Angjeli rrëfen momentet e vështira dhe të bukura të bashkëpunimit me z.Nano, nga kabinetet e qeverisë te ditët e debatit politik, duke treguar anën njerëzore të një figure, që shënoi një epokë në tranzicionin shqiptar. Për Anastas Angjelin, Fatos Nano nuk ishte thjesht një udhëheqës politik, por një shkollë mendimi, dialogu dhe humanizmi. Ai e cilëson Nanon si arkitektin e së majtës moderne, një njeri që i dha Partisë Socialiste identitet, frymë dhe vizion evropian. Sipas Angjelit, Nano ishte njeri i kulturës dhe i ideve, një politikan që dinte të dëgjonte, të bashkonte e të falte cilësi, që rrallë gjenden në politikën shqiptare.
Z.Angjeli, si e përjetuat personalisht lajmin e ndarjes nga jeta të z.Fatos Nano?
Humbja e Fatos Nanos është një ngjarje e rëndë për vendin. Është një humbje e madhe në radhë të parë për familjarët e tij, për fëmijët dhe të dashurit e tij, bashkëshorten, miqtë, shokët, bashkëpunëtorët. Është dhimbje e madhe largimi i një figure të shquar politike, publike, intelektuale dhe shtetare. Humbja për mua ishte e dyfishtë: e para, humbja e jetës së mikut tim të shtrenjtë, shokut tim, bashkëpunëtorit dhe bashkudhëtarit tim prej dekadash. Nga ana tjetër, humbja e jetës së Fatos Nanos nuk më gjeti në Tiranë, por në SHBA dhe u ndjeva shumë keq që nuk isha atje fizikisht, por me zemër po.
Z.Nano ishte i shtruar në spital prej afro një muaji… A ishit në dijeni për situatën e rëndë shëndetësore të atyre ditëve?
Ngjarjen e kam ndjekur më shumë se prej tri javësh kur u bë njoftimi se Fatos Nano ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Kam përjetuar një moment shumë të vështirë që nga dita e parë që mora vesh lajmin e rëndë për gjendjen dhe situatën e tij.
A keni pasur komunikim me z.Nano kohët e fundit?
Gjatë ditëve që ndodhej në spital kam komunikuar me doktor Solis, në spitalin privat ku Fatos Nano ndodhej dhe kam marrë informacion për gjendjen e tij. Një situatë e vështirë edhe për mua si një nga bashkëpunëtorët e tij që nga ditët e para të themelimit të Partisë Socialiste.
Si e vlerësoni figurën e tij?
Vlerësimi im mbetet më i lartë për një nga figurat më të shquara të jetës politike shqiptare që prej vitit 1990, një figurë historike jo vetëm si drejtues i emancipuar që revolucionoi dhe modernizoi Partinë Socialiste, por jo vetëm atë, edhe të gjithë shoqërinë demokratike në Shqipëri. Me detyrat dhe funksionet e ndryshme që prej vitit 1991, ai ka pasur një vizion të qartë, një mendim të kthjellët dhe një kontribut të çmuar për zhvillimin gjithanshëm ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë, të cilin e ka ushtruar gjatë gjithë kohës që ka qenë në drejtim të partisë dhe në funksione të larta shtetërore. Ai ishte lideri i socialistëve nga 1991 deri në 2005 dhe jo vetëm kaq, por duke ushtruar dhe funksionin e kryeministrit disa herë. Kjo tregon dhe dëshmon, dhe historia do e tregojë këtë, që roli i tij është i pazëvendësueshëm për demokracinë shqiptare, tranzicionin e vendit në atë periudhë. Me tolerancën e tij, me sjelljen politike europianiste dhe të qeverisjes, ai krijoi të gjitha hapësirat e nevojshme që demokracia pluraliste dhe pluralizmi politik të zhvilloheshin dhe Shqipëria të ecte drejt Bashkimit Europian.
Kur jeni njohur me Fatos Nanon?
Me Fatos Nanon kam pasur një miqësi dhe një shoqëri që rrjedh që nga viti 1983, kur ne të dy, unë pedagog në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë dhe Fatos gjithashtu pedagog i jashtëm në këtë fakultet, pasi ishte në funksione të tjera, pra jepnim mësim në të njëjtin universitet. Kështu që njohja e parë fillon 7 vjet para fillimeve të transformimeve demokratike në Shqipëri.
Si e përshkruani marrëdhënien tuaj profesionale dhe njerëzore me të gjatë viteve?
Në radhë të parë, një marrëdhënie shokësh, miqsh, bashkëpunëtorësh dhe sigurisht, edhe marrëdhënie politike e profesionale dhe shtetare me të gjatë viteve. Po ju tregoj një rast. Ishte fundviti 1990. Atë natë dhjetori, nga miku im Fatos Nano mora vesh se më kishin zgjedhur të isha pjesë e një delegacioni ekonomistësh që do të merrnin eksperiencë, këshillë dhe njohuri nga vende të Lindjes, që ishin ndarë nga komunizmi. Hungaria, Polonia dhe Bullgaria ishin tri stacionet tona. Shkuam për 45 ditë në tri vende të Europës Lindore për të marrë përvojën e tyre dhe për ta sjellë në Shqipëri, në një kohë kur ende qeveriste Partia e Punës me President Ramiz Alinë.
Ishim katër veta, Fatos Nano, Mynyr Maska, Arben Bakllamaja dhe unë. Fatos Nano qëndroi vetëm pak ditë, vetëm në Budapest me grupin. Ndërkohë që ai ndodhej në delegacion, u njoftua se ishte emëruar Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Më pas edhe zëvendës dhe Kryeministër i vendit. Njihesha shpejt me të… Fati e desh që rrugët tona në jetë dhe në politikë të ishin një bashkudhëtim i gjatë, ku miqësia, shoqëria mbizotëronte mbi debatin politik mes nesh, në disa raste. Herë si miq që ndanin të njëjtin fat dhe bindje, herë si bashkëpunëtorë dhe herë si “kundërshtarë” që i ndante mbi të gjitha, helmi i keqkuptimeve dhe pesha e politikës. Udhëtimi ynë kishte të bënte me dilemat e Ramiz Alisë në atë periudhë. Besoj se ai e kuptonte se Shqipëria nuk mund të ecte më në rrugën e saj. Se ndonëse ishte prej shumë vitesh lajtmotiv se Shqipëria ishte një rast i veçantë, nuk kishte më asnjë mundësi dhe motiv që vendi të ishte tërësisht i veçantë në ato kohëra të veçanta, që po ndryshonin e drithëronin botën. Ishte ekonomia e rrënuar dhe shumë faktorë të tjerë, tashmë të njohur, që e bëri popullin tonë të triumfonte mbi ideologjinë “triumfaliste” të komunizmit, ishte liria që vinte si shenjë edhe për ne, që nuk e njihnim lirinë që e kishte shembur komunizmin. Përtej dritareve me hekura ku kishim kaluar jetën deri më atëherë, ne vetë kishim ndërtuar një mur. Dhe nuk shihnim dot përtej murit, duke pandehur shpesh se vetë muri ishte kufiri i botës.
Nëse do të përmendnit një vendim apo një moment politik që sipas jush e përcakton më mirë figurën e Fatos Nanos, cili do të ishte ai?
Kemi përballuar krizën e vitit 1998 ku u sulmuan të gjitha institucionet e shtetit për t’u shkatërruar. Jemi përballur me kriza të tjera ekonomike dhe financiare dhe ka qenë mençuria, urtësia, aftësia për t’i zgjidhur problemet jo me dhunë, por me dije, me kulturë, me paqe, me demokraci. Ky ka qenë vizioni i Fatos Nanos. Bashkëpunimi me Nanon ka qenë jo thjesht bashkëpunim formal, por një bashkëpunim njerëzor, bashkëpunim mendimesh, miqësor, politik. Ky bashkëpunim në hapat e para në vitet ‘90 u shndërrua në një punë të palodhur për të reformuar e transformuar Partinë e Punës, distancimin e plotë prej saj dhe krijimin e një partie të re me profil socialdemokrat europiane.
Si e vlerësoni periudhën kur Nano drejtoi PS-në dhe shërbeu disa herë si kryeministër, që përkoi me zbatimin e reformave më të rëndësishme, që hodhën themelet e zhvillimit social dhe ekonomik të Shqipërisë së sotme?
Në vitet 1988-1999, Shqipëria doli nga dy kriza të rënda, ajo e skemave piramidale dhe nga ngjarjet shkatërruese të vitit 1997 dhe sulmi vandal ndaj institucioneve shtetërore i vitit 1998. Duhej filluar rindërtimi i shtetit dhe institucioneve dhe vënia në funksionim e tij nga fillimi, duheshin filluar reformat ekonomike për ringjallje e saj, duhej ngritur sistemi financiar bankar, reformat strukturore të privatizimit dhe zhvillimit, duheshin adresuar çështjet sociale të agravuara në këtë periudhë. Falë atyre politikave që u morën në qeverisjet e atëhershme dhe po zhvillohen sërish, më tej e me sukses, nga qeverisja e socialiste të drejtuar nga Edi Rama. Historia do ta njohë dhe vlerësojë rolin e Fatos Nanos si një reformator i vërtetë, një lider që kontribuoi në ndërtimin e themeleve të demokracisë dhe ekonomisë moderne shqiptare.
Si e shihni trashëgiminë e tij politike në krahasim me liderët e tjerë të tranzicionit shqiptar?
Fatos Nano ishte bashkëluftëtari më i mirë në betejat për demokraci. Lideri reformator i modernizimit dhe europianizimit të Partisë Socialiste. Njeriu i mirë për të gjithë, vizionar dhe koleg i jashtëzakonshëm, mendjehapur, vizionar, bashkëpunëtor, mirëkuptues i rrallë në të gjitha detyrat, funksionet e larta drejtuese shtetërore për zhvillimin e gjithanshëm të Shqipërisë. Mik dhe frymëzues që do të mbetet i paharruar dhe përgjithmonë në kujtesën dhe zemrat tona! Sigurisht, kanë kaluar 20 vite që Fatosi, si i pari dhe i vetmi politikan që njohu dhe zbatoi institucionin e dorëheqjes. Në këto 20 vite kanë ndodhur ndryshime të vrullshme në Shqipëri, ndryshime të mëdha në një botë në zhvillim, e majta europiane është përballur me sfida të mëdha, pikëpamjet e majta kanë qenë në ndryshim dhe zhvillim. Kësisoj, PS-ja në drejtimin e lidershipit të ri post-Fatos Nano trashëgoi themelet dhe principet bazë të PS-së që nga krijimi dhe evoluimi i saj, duke reflektuar dhe zhvilluar e çuar më tej ndryshimet që dikton koha, duke ridimensionuar filozofinë socialdemokrate europiane, vazhdon hapjen dhe rinovimin e saj e për më tepër, duke qenë në mandatin e katërt të qeverisjes, ku kryetari i PS-së, Edi Rama, drejton me sukses qeverinë, me filozofinë e gjithëpërfshirjes dhe jo të Partisë Shtet, e ka afruar më shumë PS-në me nevojat e zhvillimit ekonomik e social të vendit. Sigurisht, që në 20 vite nga largimi i Fatos Nanos, duke ruajtur principet bazë dhe filozofinë majtiste të Nanos dhe PS-së së themeluar prej tij, natyrisht modernizimi dhe ndryshimi pozitiv i PS-së vazhdon rrugëtimin e vet.
Ju e keni njohur nga afër Fatos Nanon, si ishte ai njeri përtej politikës dhe pushtetit? Njerëzit e kanë parë shpesh si figurë të fortë, ndonjëherë edhe të ashpër. Si ishte Nano në rrethin e tij të ngushtë, në marrëdhëniet njerëzore?
I ashpër?! Jo! Përkundrazi! Fatosi ishte shumë shoqëror e miqësor, i thjeshtë në takime e biseda, komunikues me të gjithë, i përshtatshëm në biseda nga ato me intelektualët deri te më njerëzoret, sipas terrenit ku zhvillohej biseda apo takimi, politikë vizionare kur ishte fjala për politikë, kishte humor dhe ironi, i këndshëm në tryezë, ishte shumë njerëzor. Jo i ashpër, por tolerant. Tolerant në politikë duke u shtrirë dorën e bashkëpunimit kundërshtarëve politikë, ai nuk ishte hakmarrës, por paqësor.
Cili është kujtimi më i bukur, ose më i veçantë që do ta mbani gjithmonë nga ai? Po këshilla më e vyer? Ka ndonjë bisedë mes jush, që ju ka mbetur në kujtesë?
Oh! Janë disa, shumë. Duhen orë të tëra të flasësh për to. Biseda, udhëtime, fushata elektorale, diskutime qeverisëse, mbrëmje familjare, “debate dhe përplasje politike”, përballje me sfida dhe kriza, etj…. Njëherë tjetër do të flasim për to.
Si ishte të debatoje me Nanon? Një njeri që të sfidonte me mendim, apo që të fitonte me logjikë e humor?
Siç ju thashë më lartë, Fatosi ishte një debatues, dialogues, negociator i kujdesshëm, i duruar, argumentues, bindës, pranues i mendimit ndryshe kur argumentohej, tolerant. Këtë frymë e mbolli dhe e përcolli edhe në zhvillimet në Partinë Socialiste.
A kishte shumë kundërshtarë brenda partisë së tij? Kush ishin miqtë dhe “armiqtë” e tij në PS?
Mendoj që pranimi dhe lejimi i mendimit ndryshe në PS nuk konsiderohet armiqësi. Përplasjet për karrierë dhe lidership të ri në PS ishin pjesë e zhvillimit, reformimit e transformimit të PS. Ndonjëherë edhe me kosto. Gjithsesi, në fund të çdo debati brenda PS-së, apo “përplasjeje”, “familja socialiste” mbetej më miqësore dhe ecte përpara, siç deri më sot.
A mendoni se shoqëria shqiptare e kuptoi plotësisht dimensionin njerëzor të Fatos Nanos, apo ai mbeti shpesh i keqinterpretuar?
Koha po provon se me gjithë keqinterpretim e ndonjëhershëm, dimensioni njerëzor i Fatos Nanos çdo ditë që kalon bëhet më i qartë, më i kuptueshëm dhe më i pranueshëm nga mbarë opinioni publik.
Si do të donit që brezi i ri ta kujtojë Fatos Nanon, si politikan, si reformator, apo thjesht si një njeri që i deshi shqiptarët në mënyrën e tij?
Ndoshta në tria mënyrat! Pse jo më shumëdimensional si intelektual, shtetar, ekonomist, erudit, orator, poliglot e shumë të tjera dimensione njerëzore.
/Gazeta Panorama


