Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka nisur shpërndarjen e materialit zgjedhor, ndërsa më 2 nëntor qytetarët do të vendosin për drejtimin e ri në 32 komuna të vendit dhe në Qytetin e Shkupit. Në kryeqytet pritet një përballje e fortë mes Orce Gjeorgjievskit të VMRO-DPMNE-së dhe Amar Meçinoviqit të Levicës. Tensionet mbeten të larta në komunat shqiptare si Tetova, Kërçova dhe Bërvenica. Ndërkohë, për katër komuna do të duhet të shpallet proces i ri zgjedhor, për shkak të mungesës së censusit.
Ka nisur sot shpërndarja e mbi 1 milion fletëvotimeve për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025.
Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftojnë se rrethi i dytë do të zhvillohet në 32 komuna dhe në qytetin e Shkupit.
Zgjedhjet do të mbahen më 2 nëntor, ndërsa një ditë më herët, më 1 nëntor, të drejtën e votës do ta ushtrojnë të sëmurët, personat në burgje dhe ata në arrest shtëpiak.
Në kryeqytet, gara për kryetar do të zhvillohet mes Orce Gjeorgjievskit nga VMRO-DPMNE dhe Amar Meçinoviqit nga Levica. Në Shkup, të drejtë vote kanë 474, 394 qytetarë.
Kandidatin e VMRO-së, Gjeorgjievski, e mbështet edhe koalicioni shqiptar VLEN, me të cilin tashmë është arritur një marrëveshje për ndarjen e resorëve në rast fitoreje. Po ashtu, VLEN dhe VMRO kanë marrëveshje edhe për Këshillin Komunal, në të cilin së bashku me ZNAM e kanë shumicën.
Rreth i dytë zgjedhjesh do të zhvillohet edhe në Tetovë, Dibër, Strugë, Bogovinë, Kërçovë, Brvenicë, Studeniçan, si dhe në Karposh, Qendër, Aerodrom dhe Shuto Orizare.
Situata më e tensionuar në kampin shqiptar mbetet në Tetovë, Kërçovë dhe Brvenicë
Në Tetovë, koalicioni VLEN akuzon Aleancën Kombëtare për Integrim për bashkëpunim të fshehtë me Levicë-n, ndërsa në Brvenicë dhe Kërçovë, kandidatët shqiptarë Haqim Ramadani nga VLEN dhe Fatmir Dehari nga AKI, kërkojnë bashkim kundër VMRO-së.
Në katër komuna Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë – nuk u arrit censusi prej një të tretës së daljes së votuesve. Për këto komuna, KSHZ do të shpallë një procedurë të re zgjedhore, që do të nisë pas përfundimit dhe shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale.
Mevludin Imeri /SHENJA/


