Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) njofton se Komisioneri Disiplinor i Ligës së Tretë – Veri ka vendosur të pezullojë për jetë lojtarët Orhan Demiri dhe Erdin Arifi nga KF Besa Sllupçane. Vendimi vjen pas një sulmi fizik dhe një përpjekjeje për të linçuar një lojtar kundërshtar në ndeshjen KF Besa Sllupçane – KF Aerodrom, e luajtur në kuadër të raundit të 8-të të Ligës së Tretë – Veri, transmeton FaktiDitor.info
Për pasojë, fusha e FK Besa Sllupçane është pezulluar për 10 ndeshje, ndërsa klubi është i detyruar të paguajë një gjobë, sipas rregullores disiplinore.
“Federata e Futbollit të Maqedonisë dënon fuqimisht çdo formë dhune në fushat e futbollit dhe do të vazhdojë të zbatojë rregulloret disiplinore për të mbrojtur integritetin e ndeshjeve dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve”, theksoi FFM.
Federata shtoi se qëndrimi i saj është i qartë dhe pa kompromis: nuk ka vend në futboll për ata që përdorin dhunë, linçojnë kundërshtarët dhe njollosin reputacionin e sportit.


