Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të fundit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke e cilësuar fjalorin e përdorur prej tij si “banal, ofendues dhe të padenjë” për një lider politik shqiptar.
Sipas VLEN-it, Ahmeti me deklaratat e tij ka treguar “humbje të kontrollit dhe panik politik”, duke shtuar se një njeri që ka udhëhequr për dy dekada “nuk mund të lejojë të ofendojë qytetarët shqiptarë dhe t’i quajë ata ‘Gazimestan’ apo të përdorë referenca të tjera fyese”.
Në reagimin e tyre, VLEN konsideron se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut më 19 tetor “u çliruan nga frika, presioni dhe shantazhi politik”, ndërsa paralajmëron se më 2 nëntor “do të festojnë bashkë fitore pothuajse në të gjitha komunat shqiptare”.
“Ne e respektojmë çdo votë dhe çdo qytetar që mori pjesë në procesin zgjedhor, qoftë për VLEN apo AKI. Kjo fitore është e gjithë shqiptarëve që refuzuan poshtërimin politik e moral”, thuhet në reagim.
VLEN shton më tej se Ali Ahmeti “mund të vazhdojë me ofendime”, por sipas tyre “historia është shkruar dhe populli e ka dërguar drejt humnerës politike”.
Në fund, koalicioni thekson se “VLEN është për dinjitet, respekt dhe një të ardhme që bashkon dhe jo që fyen”.


