Unë shumë herë them se duhet të fitojmë në shtëpi dhe këtu nuk kam asnjë dilemë, se detyra e shtëpisë është më e rëndësishmja, por duhet të fitojmë edhe në Londër, edhe në Bruksel, edhe në Paris, edhe në Berlin, edhe në Romë, edhe në Uashington dhe në kryeqytetet e tjera të vendeve anëtare të BE-së, por edhe të shteteve me ndikim në botë. Do të luftojmë për të mbrojtur interesat kombëtare dhe interesat e Maqedonisë në përgjithësi dhe të qytetarëve. E ardhmja e shtetit është brenda kornizës së BE-së, kjo është një nga qëllimet tona të fundit strategjike. Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë ta përmbushim këtë qëllim strategjik, por njëkohësisht t’i mbrojmë interesat e Maqedonisë së Veriut, porositi kryeministri Hristian Mickoski nga Londra.
Pas shumë takimeve që zhvilloi në Samitin e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, ai theksoi se mbetet optimist. Është e rëndësishme, theksoi, që vendi të përmbushë detyrat e shtëpisë – reformat.
“Do ta bëjmë këtë në periudhën në vijim. Pres gjithashtu përparim në drejtim të zhbllokimit të problemit që kemi në këtë moment, por të shohim, thamë ne – qëllimi ynë është të mbrojmë dinjitetin tonë kombëtar, identitetin tonë dhe interesat tona kombëtare. Natyrisht, porosia nga ana e tyre është se vendi i vendit tonë është brenda BE-së, si dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi. Një diskutim mjaft frymëzues dhe konkret zhvilloi kancelari gjerman, zotëri Merc, i cili deklaroi qartë se si e sheh rajonin, natyrisht është një takim i mbyllur dhe tani nuk do të doja të flisja për detajet, por ai dha një drejtim shumë të qartë, se si e sheh rajonin dhe cilat janë planet për të ardhmen e rajonit në lidhje me integrimin brenda BE-së”, theksoi kryeministri në lidhje me takimet me partnerët e BE-së.
Sipas tij, edhe disa nga kryeministrat dhe presidentët e tjerë të vendeve anëtare të BE-së kishin gjithashtu porosi të qartë dhe mënyrë të qartë për ta parë rajonin në të ardhmen.
Mickoski informoi se ka pasur shumë takime me përfaqësues të lartë, ku ka diskutuar tema të ndryshme.
“Në përgjithësi, patëm një ditë shumë të frytshme këtu në Londër, me shumë takime që përfshinë disa tema të ndryshme – ekonominë, sigurinë dhe procesin e integrimit të Maqedonisë në kuadër të Bashkimit Evropian, që në përgjithësi ishin edhe temat e përfshira në Samitin e Procesit të Berlinit. Këtu u shtua edhe një temë tjetër, ajo e migrimit ilegal. Duhet të them se dita ishte mjaft frymëzuese. E fillova me një takim me ministrin francez për Evropën, zotëri Benzhamin Hadad, i cili është jashtëzakonisht i afërt me presidentin Makron, me të cilin shprehëm qëndrimet tona, përkatësisht qëndrimet që i përsërisim gjatë gjithë kohës, se duhet të ketë një dorëzim të garancive nga vetë BE-ja, duhet të ketë zbatim nga fqinji ynë lindor në pjesën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare, respektimit të institucioneve evropiane siç është Gjykata për të Drejtat e Njeriut, integrimin e komunitetit maqedonas në kuadër të Këshillit Ministror për Pakicat te fqinji ynë lindor, etj”, informoi Mickoski.
Këto nuk janë kushte shtesë, tha, por kjo nënkupton partneritet, marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet dy vendeve.
“Sa i përket pjesës së sigurisë, e theksuam faktin e sigurisë energjetike, zhvillimin e interkonektorëve të gazit, atij që aktualisht po ndërtojmë me fqinjin tonë jugor, Greqinë, dhe atij që planifikojmë ta fillojmë shumë shpejt me fqinjin tonë verior, Serbinë. Pastaj korridoret, vazhdimisht i përmendim korridoret 10 dhe 8, të cilat për ne si shtet janë shumë të rëndësishme, por edhe për Evropën kanë rëndësi të madhe, veçanërisht për krahun jugor të NATO-s, sepse lidhin Detin Jon dhe Detin Adriatik me Detin e Zi, që është Korridori 8 dhe Korridori 10 që praktikisht lidh Mesdheu, kjo pjesë e Mesdheut me Detin Egje dhe me Evropën Qendrore”, theksoi kryetari i Qeverisë.
Sa i përket migrimit ilegal, përsëriti se qëndrimi ynë është plotësisht i qartë.
“Ne praktikisht po e mbrojmë Evropën nga vetë Evropa, sepse tek ne migrantët hyjnë në mënyrë ilegale nga shtete anëtare të BE-së. Këtë ide e shtjellova edhe para kryeministrit Starmer, gjatë takimit bilateral, duke theksuar se do të ishin të mirëpritur ekspertë britanikë, ekspertizë britanike, madje edhe oficerë policorë dhe pjesëtarë të Ushtrisë së Britanisë, që së bashku me pjesëtarët tanë ta mbrojmë kufirin tonë juglindor nga migrimi ilegal dhe, në këtë mënyrë, ta mbrojmë edhe vetë Evropën. E prezantova ftesën tonë të hapur për këtë bashkëpunim”, sqaroi Mickoski.
Foli edhe për Memorandumin për mirëkuptim me konsorciumin amerikano-britanik, i cili do të investojë në ndërtimin e një fabrike për prodhim, që është pjesë e industrisë së mbrojtjes. Bëhet fjalë për investim rreth 150 milionë dollarë dhe aty do të punësohen disa qindra deri mijëra persona.
“Por ky është vetëm fillimi, plani është të arrihet shifra prej një miliardi. Bëhet fjalë për prodhimin e municioneve dhe armëve të destinuara për tregun botëror, por në përgjithësi do të jetë i standardizuar nga NATO, kështu që supozoj se përdoruesit do të jenë shumica e vendeve anëtare të NATO-s. Pres që ky proces të përshpejtohet vitin e ardhshëm dhe nëse shkojmë sipas planit, duhet të fillojmë prodhimin diku rreth viteve 2027 – 2028”, nënvizoi Mickoski.
Takimin me mbretin Çarlls, Mickoski e cilësoi si ngjarje të pazakonshme.
“Do të thoja për ne nga Ballkani, për ne është një nder i madh të jemi pjesë e një ngjarje, për të diskutuar situatën në rajon. Absolutisht e thashë atë që kisha për të thënë, dhe kjo lidhet me Maqedoninë tonë. Ai ndau përvojat e tij nga Maqedonia kur ishte këtu, normalisht atëherë në një cilësi tjetër – si princ, jo si mbret, kështu që në përgjithësi elita kryesore politike e Britanisë së Madhe ishte atje, biseduam edhe me ministren e Punëve të Jashtme dhe zyrtarë të tjerë të lartë, kështu që e vlerësoj vërtet këtë takim, pra këtë qëndrim në Londër, si jashtëzakonisht të suksesshëm”, tha Mickoski.
Nesër, shtoi ai, vazhdojnë aktivitetet në Shkup për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale.
“Nesër festojmë festën e madhe të 23 Tetorit, Ditën e VMRO-së, prandaj ju uroj paraprakisht”, theksoi Mickoski.