Pas njoftimit se Kosova ka mbetur jashtë përfitimeve nga Paketa e Rritjes së Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ish-ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj,në një prononcim për FrontOnline e ka akuzuar Kurtin se me politikat e tij të papërgjegjshme ka dëmtuar rëndë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Ai tha se Kurti ka shkaktuar izolimin ndërkombëtar të Kosovës, sanksione, ndërprerjen e Dialogut Strategjik me SHBA dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
’Deputeti Albin Kurti, me qellim apo me mision e ka dëmtuar skajshëm partneritetin me SHBA dhe BE, e kjo politikë monstruoze dhe e papërgjegjshme ka sjellë izolimin dhe sanksionet ndaj Kosovës, ndërprerjen e Dialogut Strategjik me SHBA dhe largimin e investimeve të kompanive ndërkombëtare’’, tha Dedaj.
Sipas Dedajt, pasojë e kësaj qasjeje është edhe anulimi i fondeve të Komisionit Evropian për Kosovën, ndërkohë që të gjitha vendet e tjera të rajonit, përfshirë edhe Serbinë, kanë përfituar nga kjo paketë.
Ai ka vlerësuar se kjo humbje financiare dhe politike është rezultat i drejtpërdrejtë i keqqeverisjes dhe izolimit të shkaktuar nga Kurti.
‘’Kjo nënkupton edhe anulimin e fondeve monetare të Komisionit Evropian për Kosovën, me fajin e deputetit Kurti, të cilat iu kanë ndarë të gjitha vendeve të rajonit, duke përfshire edhe Serbinë’’, tha Dedaj.
Dedaj ka thënë se kryeministri në detyrë është i përqendruar në ruajtjen e pushtetit dhe jo në mirëqenien e qytetarëve, duke ushtruar qeverisje përmes korrupsionit, nepotizmit, propagandës dhe sulmeve ndaj mediave e drejtësisë. Ai ka paralajmëruar se Kosova po përballet me rrezikun e degradimit institucional, ekonomik dhe politik për shkak të politikave të Kurtit dhe klanit të tij.
’ Preokupim i tij është pushteti, korrupsioni, nepotizmi, sulmi ndaj mediave dhe drejtësisë si dhe mashtrimi i votuesve të Kosovës. Kriza politike të cilën po e shkakton vetë Kurti me politikat e klanit të tij kuisling antishtetëror e kanë sjellë Kosovën buzë falimentimit dhe degradimit politik, kaosit demokratik dhe rrezikimit të së ardhmes Euroatlantike’’, tha Dedaj.
Dedaj ka thënë se vendi ka nevojë për një kthesë historike dhe për largimin e këtij modeli qeverisës që, sipas tij, po e dëmton demokracinë, zhvillimin dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.
‘’Kosova dhe populli i saj, subjektet parlamentare duhet të bëjnë kthesën dhe ndryshimin historik për ta larguar këtë klan neostalinist nga pushteti, nëse dëshirojmë progres, demokraci, sundim te ligjit, paqe, partneritet dhe integrim Euroatlantik’’, tha ish-ambasadori Dedaj.