Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Dibrës, Ramadan Imeri, ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë ndaj qytetarëve që e mbështetën në raundin e parë të zgjedhjeve. Në një deklaratë publike, Imeri falënderoi bashkëqytetarët për besimin e dhënë, duke e quajtur votën e tyre një “amanet”, për të cilin ai zotohet se nuk do të bëjë kompromis.
“Të nderuar bashkëqytetarë, më lejoni që, në emrin tim, të ekipit tim dhe të gjithë atyre që u rreshtuan pas nesh, t’ju falënderoj nga zemra për çdo votë tuajën. Vota dhe besimi juaj për mua janë amanet, e unë me amanetin nuk bëj kompromis,” u shpreh Imeri.
Ai theksoi se dy javët e ardhshme do të jenë vendimtare në rrugëtimin për në raundin e dytë të zgjedhjeve, ku synon të fitojë besimin për të udhëhequr Komunën e Dibrës.
“Ju siguroj se ne do të vazhdojmë të punojmë me qetësi, dinjitet dhe qytetari, duke kërkuar besimin e çdo qytetari, pa dallim bindjesh apo përkatësish partiake – sepse për ne, populli është në piedestal,” shtoi ai.
Imeri gjithashtu falënderoi votuesit për mbështetjen ndaj listës së këshilltarëve të pavarur, të udhëhequr nga Dërgim Kaja, që siguroi tre ulëse në Këshillin e ardhshëm Komunal.
Në përfundim të deklaratës, kandidati i pavarur u bëri thirrje qytetarëve të Dibrës që më 2 nëntor t’i japin një mundësi të re qytetit, përmes planeve dhe projekteve konkrete që, sipas tij, do të sjellin zhvillim real.
“Me besim në Zot, me dashuri për Dibrën dhe me shumë punë e jo fjalë boshe, ju ftoj të na bashkoheni në këtë rrugëtim të pastër,” përfundoi Ramadan Imeri.