Sot bëhet një vit nga arrestimi i Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ndërsa avokati i tij, Kujtim Cakrani i është drejtuar me një shkresë GJKKO, ku kërkon shuarjen e masës së sigurisë.
Në dokument thuhet se kërkuesi synon të rrëzojë vendimet e mëparshme të GJKKO-së, përkatësisht nr. 125 dhe nr. 130 të tetorit 2024, si dhe vendimin nr. 59 të nëntorit 2024 të Gjykatës së Apelit të Posaçëm.
Në kërkesë përmendet se ndaj Ilir Metes është ngritur procedim penal pas kallëzimit të shtetasit Romeo Kara, i cili ka depozituar një padi në Prokurorinë e Posaçme duke përmendur emra të tjerë si Sali Berisha, Kastriot Ismailaj, Tomas Pleshkash dhe Bujar Nepravishta, për akte të dyshuara korruptive të lidhura me çështjen DIA–ÇEZ Shpërndarje, që daton që nga shtatori i vitit 2010.
Në materialin e dorëzuar në gjykatë, thuhet gjithashtu se Romeo Kara ka deklaruar se gjatë përfaqësimit të tij ligjor në procesin e arbitrazhit në Vjenë lidhur me çështjen e OSHEE-së, është njohur me informacione që lidhen me hetimin aktual.
Gjykata e Posaçme pritet të shqyrtojë kërkesën e Ilir Metajt në ditët në vijim dhe të vendosë nëse masa e sigurisë ndaj tij do të mbetet në fuqi apo do të zëvendësohet me një masë më të lehtë.