Kreu i PD-së, Sali Berisha ka dënuar arrestimin e avokatit Ulian Barjami, duke e konsideruar si një terror ndaj shumë avokatëve të tjerë për t’i mbyllur atyre gojën.
Nga jashtë ambienteve të SPAK, Berisha akuzoi kreun e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si anëtar bandë.
Ai theksoi se kishte menduar se avokati mund të kishte reaguar me dhunë apo të kishte humbur kontrollin, por deklaroi se, sipas tij, pamjet filmike e përgënjeshtrojnë këtë pretendim.
Berisha: Që nga koha e diktaturës, arrestojnë avokatin në Elbasan, pse? Sepse i tha prokurorit do të bëj padi penale. Çfarë fyerje dhe kërcënim është ky. Ky bandit me Prodën që është anëtar i bandës, thërret avokatin dhe e arreston të nesërmen. Më thuaj pak mua? Të arrestosh avokatin në këtë mënyrë, kjo është terror mbi shumë avoketër, që të mbyllin gojën në sallën e gjyqit. Çfarë drejtësie është kjo. Kur dëgjova unë mendova se mos avokati ka humbur nervat dhe ka agresuar prokurorin. Por kur pashë me regjistrime se cfarë ka ndodhur, ky është turp, vetëm drejtësi nuk është, nuk ndodh kurrë. Këta që përpiqen të shndërrojnë krimet e shëmtuara në mburojë për drejtësinë, këta janë dy herë kriminele.